Këngëtarja Parashqevi Simaku është larguar prej gati 3 dekadash nga skena, ndërkohë që pas emigrimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka eliminuar çdo dalje në ekran.
Por, një video e publikuar pak ditë më parë, që po bën xhiron e rrjetit tregon artisten duke marrë ndihma sociale në New York. Ndonëse nuk dihet nëse grua në videon që u transmetua në ABC News është Parashqevi Simaku, shumë shqiptarë që jetojnë atje thonë se Simaku Nohfe, sikurse prezantohet ajo në kanali amerikan, është pikërisht Parashqevi Simaku.
Ndërkohë, një ditë më parë, me zonjën që del në videon e ABC, ka komunikuar një shtetase shqiptare. Ajo flet anglisht, por edhe shqip teka thotë se ka kohë pa komunikuar në gjuhën amëtare.
Pjesë nga biseda mes tyre:
Qytetarja: Ti nuk beson që jemi shqiptarë?
Parashqevi Simaku: Aspak. Dua të them që ne shqiptarët jemi ajo që kemi mbetur nga Roma, Greqia, Perandoria austriake. Ndaj disa prej nesh kanë ardhur që nga koha e Skënderbeut. Ju e keni ruajtur traditën austro-hungareze.
Qytetarja: Do të jap një buzëkuq. Lyeji pak buzët e kuqe.
Parashqevi Simaku: Të lutem, mos u shqetëso.
Qytetarja: Lyeji, lyeji që të të shohë avokati si yll.
Parashqevi Simaku: E kam shumë më të lehtë të flas anglisht. Me ty për herë të parë kam folur shqip.
Qytetarja: Shumë bukur ke folur.
Parashqevi Simaku: E kam harruar gjithë këto vite.
Qytetarja: Ku të të gjej unë ty? Nuk e kam as telefonin tënd. S’kam as adresën e shtëpisë tënde.
Parashqevi Simaku: Më shkruaj në Facebook. Kërko në Facebook tim dhe do të shohësh fotot e mia, familjen time gjithçka e kam aty.
Qytetarja: Në çfarë ore futesh në Facebook? Do vij sërish, sa e bukur u bëre me buzëkuq. Se di ti sa e bukur u bëre!
Simaku ishte dhe mbetet një nga emrat më të dashur dhe më të vlerësuar të muzikës shqiptare, por karriera e saj u mbyll shumë shpejt.
Ndërkohë, në një intervistë të realizuar një vit pas largimit drejt SHBA-së, Simaku rrëfente për gazetarin Alfred Kanini vështirësitë me të cilat përballej, por dhe ambicien për t’u futur në tregun muzikor atje.
E pyetur se përse u largua nga Shqipëria ajo shprehej: “Është pyetje shumë e vështirë për mua, por mund të them se u krijuan kushtet, jo se kisha dëshirë, por prapë unë përpiqem nuk është se po ndryshoj. Unë ika si shqiptare dhe jam këtu jam prapë shqiptare. Jam tepër e qetë që tani jam në një botë të lirë, jam e lirë… në radhë të parë jam e lirë si shqiptare, por ky vend këtu është shumë oportun ku ti mund të provosh nëse mund të bësh diçka. Por unë çdo gjë që mund të bëj në të ardhmen, dua ta bëj vetëm si artiste, si shqiptare”.
Simaku fliste dhe për vështirësitë me të cilat përballej në New York, duhej të punonte shumë, studionte dhe të ndihmonte ekonomikisht edhe familjen e saj. Gjatë intervistës shpesh ajo shprehej se ishte vetëm dhe jeta ishte shumë e vështirë dhe detyrohej të këndonte në restorante shqiptare për të mbledhur para, edhe pse aspak nuk i pëlqente ai ambient. Ajo tregonte se në Amerikë kishte shkuar me të tjera synime për karrierën e saj.
“Është shumë e vështirë sepse të afërmit e mi e dinë, unë jetoj vetëm dhe nuk kam njerëz të afërt këtu. Punoj, kam kaq kohë që këndoj në restorantet shqiptare, muzikë popullore dhe muzikë të lehtë… unë kurrë nuk kisha hyrë në këtë biznes, sepse nuk më pëlqen që të këndoj në restorante, por jam e detyruar sepse shumë gjëra këtu duhen filluar nga “A”…. Artistët duhet të provojnë Hollivudin, është ndryshe të ëndërrosh të shkosh dhe është ndryshe ta bëj. Është shumë e vështirë që një vajzë vetëm nga qyteti i Kavajës, të jetojë në mes të New York ku ulesh dhe ngrihesh në një sekond, gjë të cilën unë nuk jam përgatitur, sepse vendi ku jemi rritur ne brenda izolimit, shumë anë praktike të jetës nuk i njohim dhe unë has shumë vështirësi.
Erdha me një tjetër mendim këtu, mendova të bëj një shoë për shqiptarët, të paraqesim vlera, sepse nga gjendja ku ndodhej vendi përfshi edhe Kosovën, arti është harruar dhe është vënë shumë pas politikës… unë mundohem, është e vështirë, këndoj këngë patriotike sepse këtu i duan.
Me këtë punë që jam marrë këto kohë, që kam kënduar, kam bërë një çik ekonomi, shumë pak mund të them sepse mbaj edhe familjen, sepse jam shumë e lidhur me familjen prindërit… shkoj edhe në shkollë për të mësuar gjuhën. Më duhet të punoj shumë”, tregonte ajo.
Top Channel pak kohë më parë mësoi nga familjarë të këngëtares se ajo kishte nisur një jetë të re në Amerikë, si profesionale ashtu edhe personale, larg ekranit apo vëmendjes mediatike. Simaku u divorcua me bashkëshortin e saj në vitin 2006, me të cilin ka një djalë, sot 22 vjeç, por nuk dihen detaje nga jeta e saj tani dhe nëse është në vështirësi ekonomike, apo nëse përballet me probleme të tjera.
Top Channel