Detaje nga atentati mafioz në Athinë/ “Viktima me precedent të rëndë kriminal”, mediat greke: Autorët vodhën një makinë dhe u nisën drejt…

15/12/2024 17:46

Zbulohen detaje të reja nga atentati mafioz në Athinë të Greqisë, ku mbeti i vrarë Irakli Davella dhe u plagos Edi Lulo.

Protothema.gr shkruan se viktima është me precedent të rëndë penal, ndërsa thekson se shkak mund të jetë bërë rivaliteti mes grupeve të mafias greke.

Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjesëtarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobëvënie”, etj. Në vitin 2011, Davella rezulton të jetë pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “organizatë kriminale” e “falsifikim” e “lëshim cëqesh të këqija”. Dosja e Korfuzit, ka qenë një ngjarje e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit. Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, Kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllain e një ish-ministre dhe deputete greke.

Mediat greke ndërkohë shkruajnë se ka dyshime nga policia, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet. Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme. Gjithashtu në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojërash në Peristeri dhe një biznesi dhënie makinash me qira në ishujt grekë. Gjithashtu me biznes aktiv bar-kafeje rezulton edhe në Mesopotam, Bashkia Finiq por nuk dihet nëse është funksional.

“Nga mënyra e organizimit të atentatit, duket se ata e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur. Para krimit, autorët vodhën një makinë nga Athina, u nisën drejt Thrakomakedones (vendi ku ndodhi atentati), iu afruan viktimave dhe më pas hapën zjarr. Sulmi ndodhi jashtë një dyqani, ku autorët qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.”, shkruan Protothema.gr.

Për sa i përket të lënduarit, ai udhëtonte shpesh në Dubai. “Ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga”, shkruajnë mediat greke.

Sakaq autoritet greke thonë se së bashku me viktimën dhe të plagosurin, ka qenë edhe një person i tretë, i cili i ka shpëtuar plumbave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA