Sekretari i Departamentit të Shtetit amerikan, Antony Blinken, ditën e sotme bëri një vizitë të paparalajmëruar në Irak, ku u takua me kryeministrin Irakian Mohammed Shia al-Sudan.
Blinken u takua me al-Sudan në Bagdad pas dy ndalesave të tij në Jordani dhe Turqi në përpjekje për të diskutuar situatën pas rënies së papritur të regjimit të Assad.
“Çdo qeveri e përkohshme duhet të sigurohet që Siria të mos kthehet në një baze për terrorizëm, ekstremizëm, të përbëjë rrezik për shtetet fqinje apo te bëhet aleat me grupe si ISIS”, tha Blinken ditën e djeshme teksa shtoi se grupi famëkeq padyshim do kërkojë të ribashkohet.
Kujtojmë se takimi i Blinken me kryeministrin irakian vjen disa ditë pasi komandanti i lartë ushtarak amerikan për Lindjen e Mesme vizitoi për një vlerësim të misionit “D-ISIS” brenda Irakut dhe Sirisë.
Sakaq, SHBA po vëzhgon gjithashtu nga afër grupet e mbështetura nga Irani në Irak, të cilët kanë shënjestruar personelin dhe interesat amerikane edhe në të kaluarën. “Ata mund të përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria në Siri” tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Në Bagdad, Blinken theksoi angazhimin e SHBA-së ndaj partneritetit strategjik me Irakun si dhe ndaj sigurisë, stabilitetit dhe sovranitetit të tij sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit rreth udhëtimit të tij.
Top Channel