Rikthim në kohë! Shqipëria përballet sërish me Serbinë, çfarë ndodhi 10 vite më parë në Beograd

13/12/2024 13:15

Shqipëria ka mësuar shortin e Eliminatorëve të Botërorit “SHBA-Meksikë-Kanada 2026”, me kuqezinjtë që u shortuan në Grupin K, së bashku me Anglinë, Letoninë, Andorrën dhe Serbinë.

Pikërisht, takimi me këtë të fundit na kthen pas në kohë, 10 vite më parë, kur në Beograd, ajo që supozohej të ishte një ndeshje futbolli, u kthye në një arenë lufte nga tifozët dhe lojtarët serbë, që nuk nguruan të sulmonin futbollistët shqiptarë.

Më 14 tetor 2014, në Kualifikueset e Europianit “Francë 2016”, Serbia nuk pranoi tifozë shqiptarë në takimin me Shqipërinë në Beograd. Gjithsesi, një flamur i Shqipërisë së bashkuar i ardhur me dronë dhe një reagim i pavend i lojtarëve serb, nxiti tifozët që të hynin në fushë dhe të sulmonin lojtarët e Kombëtares shqiptare, me takimin që u mbyll pa përfunduar pjesa e parë.

UEFA vendosi që t’i jepte tre pikët në tavolinë Serbisë, duke e quajtur shkaktare Shqipërinë për nxitjen e dhunës.

Gjithsesi, Gjykata e Arbitrazhit në CAS nuk mendoi kështu, duke hedhur poshtë vendimin e UEFA-s dhe duke kthyer situatën në krahun e kundërt, ku akuzoi serbët për dhunë të kryer ndaj futbollistëve shqiptarë, me kuqezinjtë që morën fitoren 3-0 në tavolinë, duke ndihmuar ekipin e De Biazit në atë kohë të arrinte kualifikimin e parë historik në një turne madhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA