Precedentët e Shqipërisë me rivalët/ Tre kundërshtarë që nuk i kemi mundur kurrë në fushë, me Anglinë njohim vetëm humbje

13/12/2024 13:35

Shqipëria është shortuar në Grupin K të Eliminatoreve të Botërorit “SHBA-Meksikë-Kanada 2026”, aty ku do të përballet me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

Edhe pse duket një grup ku shanset për t’u kualifikuar nuk mungojnë, precedentët e me këto skuadra nuk janë pozitive.

Rivali më i fortë është padyshim Anglia, me kuqezinjtë që njohin vetëm humbje përballë “Tre Luanëve” në gjashtë takime të luajtura në histori, ku madje kemi shënuar vetëm një gol.

Sa i përket Serbisë, kuqezinjtë janë përballur vetëm dy herë me ballkanasit. Bëhet fjalë për kualifikueset e Europianit “Francë 2016”, me takimin e parë që iu dha fitorja në tavolinë kuqezinjve në Beograd, ndërsa me sfidën e kthimit, ku ekipi i De Biazit në atë kohë u mposht 0-2 në Elbasan.

Edhe pse duket një skuadër e lehtë në letër, precedentët me Letoninë nuk janë aspak pozitive. Në pesë takime me ekipin baltik, të pesta janë mbyllur në barazim.

Precedentët më pozitivë i kemi me Andorrën, të cilën në 7 takime, e kemi mundur 5 herë, një barazim dhe një humbje në një miqësore në vitin 2002.

Takimet për Shqipërinë do të nisin në mars të vitit 2025 dhe do të përfundojnë në nëntor të po atij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA