Lufta kundër krimit të organizuar/ Shqipëria dhe Britania e Madhe bashkojnë forcat

13/12/2024 14:08

Për të diskutuar rreth bashkëpunimit në luftën kundër krimit të rëndë e të organizuar, mënyrave dhe mjeteve më efikase, u zhvillua një takim dyditor në Tiranë, mes dy delegacioneve, shqiptare dhe britanike, ku u ra dakord për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me mënyrat dhe mjetet më efikase në përballjen me këto kategori krimesh.

Delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga Zëvendës Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Njësia e Inteligjencës Artificiale dhe Policia e Shtetit. Pala britanike përfaqësohej nga Zëvendës Sekretari i Dytë i Përhershëm i Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Simon Ridley, Ambasadori britanik në Shqipëri  Nick Abbott dhe zyrtarë të lartë nga Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar (NCA).

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i derisotëm mes dy vendeve dhe specifikisht mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe britanike dhe u shpreh vullneti për të vijuar edhe më tej këtë bashkëpunim në luftën kundër Krimit të Rëndë dhe të Organizuar.

Palët rikonfirmuan angazhimin e tyre për të rritur bashkëpunimin operacional nëpërmjet teknologjisë më të fundit për të luftuar aktivitetet kriminale ndërkufitare.

Delegacioni britanik ka zhvilluar disa takime gjatë kësaj vizite, ku u pritën edhe nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. Në takime palët kanë rënë dakord mbi nismat e reja që forcojnë luftën kundër krimit të organizuar.

“Ky dialog i vazhdueshëm, – tha Ambasadori Nick Abbott, – forcon partneritetin tonë me Shqipërinë dhe tregon angazhimin e palëkundur të të dy vendeve për të reduktuar migrimin e parregullt dhe për të luftuar krimin e organizuar.

Dialogu për luftën kundër krimit të rëndë të organizuar (SOC), është konceptuar si një dokument në formën e një Plani Masash do të shërbejë si mekanizmi kryesor për miratimin e iniciativave të nevojshme të bashkëpunimit dypalësh për të adresuar kërcënimet më të mëdha të krimit të rëndë dhe të krimit të organizuar (SOC) që prekin të dy vendet.

Këto përfshijnë më shumë aktivitete dhe veprime konkrete kundër trafikimit të narkotikëve, flukseve të paligjshme financiare dhe korrupsionit në rajon. Ky mekanizëm do të bazohet në bashkëpunimin ekzistues të praktikave më të mira midis të dyja qeverive në trajtimin e migracionit të paligjshëm, i ndërmarrë tashmë nga Komiteti i Përbashkët i Mbikëqyrjes dhe Task Forca e Përbashkët e Migracionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA