Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar humbjen e betejës ligjore në Angli lidhur me shpalljen e tij non grata-n dhe tani po mendon t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
Në një konferencë për mediat, ai tha se kërkesa nuk ishte për të hequr statusin ‘non-grata’ të shpallur dy vjet më parë, por për të kundërshtuar procedurën e ndjekur.
“Kërkesa ime nuk ka qenë për heqjen e non gratës por për mosndjekjen e procedurës. Kjo tani më hap mua rrugën që avokatët e mi të merren me ndjekjen e mundësisë për në Strasburg. Ky proces i cili diskretiton çdo vend të lirë, që unë të padisja për shpifje sikurse veprova me sekretarin Blinken. Ata kanë bërë shkelje të rënda procedure. Avokatët nuk kanë kthyer akoma një përgjigje përfundimtare nëse përputhet me veprimtarinë e Strasburgut apo jo. Në princip po, por duhet ta elaborojnë më shumë”, u shpreh Berisha.
Lideri i demokratëve u përfshi edhe në debatin kushtetues mbi mbarimin e mandatit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaccaj dhe njoftimin e vakancës së bërë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
“Përplasje tipike e narkoshtetit. Çfarë ndodh? Sadushi i propozon Sadushit. Nuk ka akt më qesharak mbi tokë. Sadushi i propozon Sadushit, kështu mund ta quaj unë këtë. Dmth, kryetares së Gjykatës Kushtetuese i skadon mandatin, ajo këtë nuk e ka fshehur. Kushtetuta në asnjë nen nuk autorizon asnjë institucion tjetër, përveç gjykatës që të shpallë vakancën. Ma gjeni ju, shkoni e lexoni. Ku shkruhet që Gjykata e Lartë shpall vakancën e Gjykatës Kushtetuese. Është si me thënë, Apeli shpall vakancën e Gjykatës së Lartë. Kjo është drejtësi, çfarë ti thuash, bande. Sadushi, se ku është problemi, problemi është i fortë”, tha Berisha.
Sipas tij “zonjës në fjalë i mbaron mandati në 31 dhjetor, ajo e ka shprehur këtë dhe normalisht Gjykata Kushtetuese duhet të shpallë vakancën se ja ka lënë ligji. E shpall Sadushi, kryetar i KED-së, dëgjojeni pak se është e bukur, kryetari KED-it. KED-i është institucioni kushtetues që i propozon, pasi i shqyrton kandidaturat, Gjykatës së Lartë. Pra, Sadushi i propozon Sadushit. Nuk ka akt më qesharat. Të paktën në këtë rast, Sadushi nga njëri funksion duhet të japë dorëheqjen. Por ku e le Xhafaj me dhënë dorëheqjen”.
Top Channel