Hodhi shokun nga ura dhe fshehu krimin/ Gjykata e Durrësit lë në burg Majlind Habibin, i akuzuari: Jam i pafajshëm, kam gruan shtatzënë

13/12/2024 13:01

Hodhi shokun nga ura dhe fshehu krimin, Gjykata e Durrësit lë në burg Majlind Habibin.

Në gjykatën e Durrësit u zhvillua masa e sigurisë ndaj shtetasit Majlind Habibi, i akuzuar për vrasjen me dashje të Branko Shkozës në Spitallë të Durrësit më 2 dhjetor.

Avokati i caktuar nga gjykata kërkon njohjen me fashikujt e çështjes dhe kryesisht të deklarimeve në policinë gjyqësore të të akuzuarit.

Avokati tha se Habibi nuk ka pranuar ta ketë kryer vrasjen. Sipas informacioneve, deri më tani ka dy deklarata nga autori i dyshuar.

Habibi: Jam i pafajshëm. E kam takuar në kafe më 27 nëntor.  E kam pranuar kot në fillim nga frika, kur më ndaloi Policia. Unë kam një djalë dhe gruan shtatzënë.

Sipas prokurorit, ai e ka pranuar faktin dhe se e ka shoqëruar Shkozën te ura ku e ka shtyrë.

Habibi: Isha nën presion nga policia. Njëri më gjuajti dhe me shpullë. Kam firmos, po nuk di as me lexu mirë.

Habibi nis të ngashërehet teksa pranon se është rritur me viktimën.

Habibi: I kam shku dhe në varrim. Më është mbyll dera. Ka ikur gruaja shtatzënë me fëmijën 4 vjeç. S’kam ndonjë shkollë të madhe dhe nën presion e kam pranuar. Jam i drejtë, i pastër.

Gjyqtarja Besjana Garxenaj e ballafaqoi me dëshminë e Mateo Kajanës që ka deklaruar se Habibi e ka vrarë duke e shtyrë në kanal.

Habibi tha se dikush do e ketë shtyrë Kajanën që të thotë të njëjtën gjë që tha edhe ai fillimisht kur u ndalua nga policia.

Në dëshminë e Kajanës, deklarohet se Habibi i ka rrëfyer ngjarjen.

Ngjarja kriminale u zbulua një javë më pas nga policia e Durrësit që ndaloi si autor të dyshuar fqinjin e viktimës, 35-vjeçarin Habibi që e ka shtyrë qëllimisht në kanalin e ujërave të ndotura, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Më pas e ka mbajtur të fshehur krimin, ndërsa familjarët e viktimës dhe policia ishin vënë në kërkim të Shkozës 33-vjeç.

Trupi i tij u gjet më 5 dhjetor në kanal, ndërsa më 10 dhjetor policia njoftoi ndalimin e fqinjit të tij Habibi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA