Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi akuza se punonjësit e ambasadave shqiptare janë përfshirë në veprimtari politike.
Gjatë një takimi me gazetarët, ai u bëri thirrje emigrantëve që t’i godasin me vezë dhe domate.
Berisha: Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme. Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.
Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.
Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.
Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale. Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral. Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë.
Top Channel