Ishte duke ecur zbathur në rrugët e Damaskut, gjendet amerikani në Siri! Rënia e Assad e shpëton nga izolimi

12/12/2024 17:35

Amerikani Travis Timmerman, i cili rezultonte i zhdukur prej muajsh në Siri, tashmë është gjetur.

Timmerman foli me disa media, pasi vendasit raportuan se e kishin parë duke ecur zbathur në rrugët e Damaskut. Gjetja e tij vjen pas lirimit të mijëra njerëzve nga burgjet siriane, pas rrëzimit të regjimit Bashar al-Assad.

Ai kishte vendosur të udhëtonte drejt Sirisë për “qëllime shpirtërore”, nga ku u kap pasi kaloi kufirin e tij me Libanin në mënyrë të paligjshme dhe u burgos për muaj të tërë.

Duke folur për CBS News, Timmerman tha se dera e qelisë së tij u thye të hënën nga dy burra të armatosur me Ak-47 dhe u largua nga burgu me një grup të madhe njerëzish.

“Nuk jam rrahur kurrë. E vetmja pjesë e keqe ishte se nuk mund të shkoja në tualet kur doja. Më lëshonin vetëm tre herë në ditë”, tha ai.

Kujtojmë se alarmi se Timmerman ishte zhdukur u ngrit nga policia hungareze në gusht, megjithëse një postim në Facebook nga një mik i familjes thoshte se ai ishte zhdukur që në qershor. Ai ishte parë për herë të fundit në Budapest në fund të muajit maj.

Kur Timmrman u gjet, në terren po kërkohej gjithashtu gazetari i zhdukur amerikan Austin Tice, i cili mbahet në Siri që nga viti 2012. Edhe pse ai ende nuk është lokalizuar, qeveria e përkohshme siriane tha në një deklaratë të enjten se përpjekjet për të gjetur Tice vazhdojnë.

Top Channel