Pas katër ditësh, policia e Vlorës ka bërë të mundur ndalimin e autorit që ka vendosur eksploziv në një bar-restorant në zonën e Lungomares në Vlorë.

Sipas burimeve nga policia, autori është 28-vjeçari Beqir Selamaj alias Beqir Murati.

Policia thotë se 28-vjeçari me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë, dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA