Disa persona filluan të mblidheshin të hënën para agimit në një McDonald’s në afërsi të zonës ndërshtetërore në Pensilvaninë perëndimore, kur në një moment një klient tjetër tërhoqi vëmendjen e tyre.
“Po mos vallë ai është vrasësi nga Nju Jorku?”, u shpreh me shaka njëri nga klientët teksa fliste me mikun e tij.
Por shakaja rezultoi të ishte e vërtetë. Ai njeri ishte vërtet i kërkuari, i dyshuari për vrasjen e drejtorit ekzekutiv të UnitedHealthcare, në një që tronditi vendin.
Luigi Mangione, 26 vjeç, ishte ulur vetëm në një tavolinë me një laptop dhe një çantë shpine, sipas policisë që e arrestuan në McDonald’s. Ai kishte një maskë mjekësore, një kapelë kafe dhe një xhaketë të errët. Një imazh i shpërndarë në mediat sociale nga Policia e Shtetit të Pensilvanisë tregonte Mangionen, me maskën e tij blu që varej nga veshi, duke ngrënë.
Trashëgimtar i një familjeje të pasur nga Baltimori, që kishte qenë një i diplomuar në një universitet të nivelit të lartë, Mangione ishte në Pensilvani për disa ditë, sipas policisë, pas dyshimit se vrau drejtorin ekzekutiv të UnitedHealthcare, Brian Thompson, të mërkurën e kaluar jashtë një hoteli në Manhattan, rreth 370 kilometra larg Altoonës.
Në fund, Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, tha se një “kombinim i punës së hetuesve të vjetër dhe teknologjisë moderne” çoi në kapjen e të dyshuarit. Vrasja fatale jashtë një konference investitorësh shkaktoi një kërkim të gjerë, me policinë e Nju Jorkut që shfletonte qytetin për prova dhe shqyrtonte mijëra orë pamje video.
Imazhe të ndryshme – nga ndalesa e tij në një Starbucks në Manhatan para vrasjes deri te pamja nga një kamerë mbikëqyrjeje ku ai shfaqej me fytyrën e zbuluar dhe një buzëqeshje të gjerë nën sytë dhe vetullat e tij karakteristike në një hostel në Upper West Side ku kishte qëndruar – ishin shpërndarë në pesë ditët pas vrasjes.
“Ka shumë pika kyçe në këtë rast, dhe fakti që kemi gjetur një sasi të madhe provash forenzike, një sasi të madhe pamjesh video,” u shpreh shefi i Hetuesve të NYPD-së, Joseph Kenny, për gazetarët. “Nuk mund ta vë në një gjë, por nëse do të doja, do të ishte shpërndarja e asaj fotografie të fytyrës së zbuluar të dyshuarit”.
Në McDonald’s, në East Plank Road, afër autostradës 99, një klient i lajmëroi punonjësit, të cilët thirrën policinë të hënën në mëngjes dhe u thanë se besonin se i dyshuari ishte aty.
Rreth orës 9:15, dy oficerë e gjetën njeriun me maskë mjekësore dhe kapelë ulur në pjesën e pasme të ndërtesës, duke shikuar në laptop.
“Oficerët e Altoonws, Tyler Frye dhe partneri i tij, e njohën menjëherë”, thuhet në raport.
“Nuk menduam dy herë për këtë,” tha Frye, pas arrestimit. “E dinim që ai ishte personi ynë.”
Oficerët e kërkuan njeriun për një identifikim. Ai iu dha një ID nga New Jersey me emrin Mark Rosario, thuhet në ankesa.
Kur ata e pyetën nëse kishte qenë në Nju Jork së fundmi, ai u bë i heshtur dhe nisi të dridhej, sipas raportit.
Policia kontrolloi dhe nuk gjeti asnjë regjistrim që përputhej me identitetin. Kur ata i thanë se ishte nën hetim policor, ai u dha oficerëve emrin e tij të vërtetë: Luigi Mangione. Kur e pyetën pse kishte përdorur një emër të rremë, i dyshuari u përgjigj: “Kuptohet që nuk duhet të kisha”.
Policia gjeti “një pistoletë të printuar në 3D” me një karikator Glock dhe një “silenciator të zi” që gjithashtu ishte i printuar në 3D në çantën e tij, sipas ankesës penale. Tisch tha për gazetarët se Mangione u gjet me një armë dhe një mbulesë “të dyja të ngjashme me armën e përdorur në vrasje,” duke iu referuar një pajisjeje që zvogëlon zhurmën e një arme.
“Identifikimi i falsifikuar nga New Jersey,” tha Tisch, përputhej “me ID-në që i dyshuari përdori për të kontrolluar në hostel në Nju Jork para vrasjes.” Ajo tha se ai po ashtu mbante “një dokument të shkruar me dorë që flet për motivet dhe mendësinë e tij.”
Top Channel