Udhëtim me kreun e grupit Çapja/ Ish-prokurori i dyshuar për lidhje me krimin nis punë si ekspert në Komisionin Antikorrupsion

11/12/2024 22:14

Ish-prokurori i Elbasanit, Bledar Mustafaraj, i cili u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë pasi doli se kishte udhëtuar me kreun e grupit Çapja në procesin e Vetingut, ka nisur punë si drejtor Juridik i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ekspert i nivelit të lartë në komisionin parlamentar të drejtuar nga ish-ministri Fatmir Xhafaj.

Më 31 janar 2016 në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës në kufi me Maqedoninë e Veriut, katër persona u regjistruan teksa udhëtonin së bashku në të njëjtin automjet në drejtim të Shqipërisë.

Sipas të dhënave në sistemin TIMS, njëri prej tyre ishte Ardian Çapja, një figurë e njohur e krimit të organizuar në qytetin e Elbasanit, ndërsa bashkëudhëtarët e tij ishin Bledar Mustafaj, asokohe prokuror në Prokurorinë e Elbasanit, Skënder Topi, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Elbasan si dhe Ravik Gurra, avokati i ndjerë i Çapjas, sipas BIRN.

Arsyeja e udhëtimit të përbashkët mes një prokurori dhe një personazhi të krimit të organizuar është e paqartë.

Por në shtator 2023, ky udhëtim ngriti pikëpyetje për pastërtinë e figurës së prokurorit Bledar Mustafaraj në procesin e tij të vetingut, sipas dokumentit të rezultatit të hetimit administrativ.

Gjithsesi, këto të dhëna nuk u ballafaquan në shqyrtim administrativ, pasi Mustarafaj vendosi të largohej nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje.

Heqja dorë nga statusi i magjistratit gjatë procesit të vetingut i penalizon zyrtarët që të punojnë në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Megjithatë, kjo ndalesë nuk e pengoi ish-prokurorin Bledar Mustafaraj që të fitonte pozicionin e kreut të Drejtorisë Juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të rikthehej në skenën publike si një ekspert i nivelit të lartë në komisionin “antikorrupsion” të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Ish-prokurori Bledar Mustafaraj i tha BIRN përmes një bisede telefonike se “këto të dhëna nuk iu nënshtruan verifikimit dhe vlerësimit nga ana e KPK-së”, ndërsa pretendoi se rezultati i hetimit ndaj tij nuk duhej të ishte publik dhe kërkoi të mësonte burimin e informacionit.

I pyetur për lidhjet e tij me Çapjan dhe rolin në komisionin “antikorrupsion”, Mustafaraj tha: “nuk kam koment”.

Skënder Topi, ish-dekan dhe ish- rektor për dy mandate në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit pretendoi për BIRN se nuk “kishte lidhje me atë udhëtim”.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu i tha BIRN se Mustafaraj kishte aplikuar dhe ishte shpallur fitues për pozicionin e drejtorit të Drejtorisë Juridike “pasi ka plotësuar kriteret e vendosura nga institucioni”.

Kreu i Komisionit “antikorrupsion”, Fatmir Xhafaj dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi procesin e rekrutimit të Mustafarajt në pozicionin e ekspertit si dhe procedurën e ndjekur për përzgjedhjen dhe verifikimin e ekspertëve.

Komisioni i posaçëm parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i njohur gjerësisht si komisioni “antikorrupsion”, është një nismë e kryeministrit Edi Rama, e cila ka sipas tij për qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe reformimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.

Mes 91 ekspertëve të komisionit “antikorrupsion” figuron edhe emri i ish-prokurorit të Elbasanit, Bledar Mustafaraj, tashmë në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë Juridike të KLSH-së. Sipas këtij dokumenti, Mustafaraj figuron në shtyllën e dytë të veprimtarisë së komisionit, atë të antikorrupsionit.

Bledar Mustafaraj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi deri në vitin 2021 në Prokurorinë e Rrethit të Elbasanit. Në periudhën mars 2021- nëntor 2023, ai punoi si magjistrat i komanduar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si përgjegjës i sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Procesi i vetingut për Mustafarajn u përmbyll më 7 nëntor 2023 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendimin për ndalimin e ushtrimit të funksionit për një periudhë 15-vjeçare pranë institucioneve të drejtësisë.

Në qershor 2024, Mustafaraj u emërua drejtor i Drejtorisë Juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Sipas dokumentit të rezultateve të hetimit administrativ të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, Bledar Mustafaraj, veç gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, është konstatuar dhe një kontakt i papërshtatshëm i tij me një person të përfshirë në krim të organizuar -rrethanë që nuk është deklaruar nga subjekti në deklaratën e pastërtisë së figurës.

Edhe pse Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dorëzoi në KPK dy raporte pozitive për Mustafarajn, ishte një informacion i depozituar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që ndryshoi rrjedhën e hetimit të tij administrativ në kriterin e figurës.

Bazuar në këtë informacion, KPK i kërkoi Policisë së Shtetit të dhënat e sistemit TIMS për Ardian Çapjan dhe dy familjarë të tij.

Ardjan Çapja është një personazh i krimit të organizuar në qytetin e Elbasanit, i dyshuar se është përfshirë në një sërë përplasjesh të rënda përgjatë dy dekadave të fundit. Çapja u dënua me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2023 për një vrasje të dyfishtë të vitit 2012 – ku viktimat babë e bir u qëlluan për vdekje brenda shtëpisë së tyre.

Bazuar në të dhënat e rezultuara nga sistemi TIMS për udhëtimin e Mustafarajt në shoqërinë e Çapjas, avokatit të tij të ndjerë Ravik Gurra dhe ish-rektorit të Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi, KPK ka konstatuar se ‘ish-prokurori Bledar Mustafaraj ka kontakte me një person të përfshirë në veprimtari kriminale”.

Në përfundim të hetimit administrativ paraprak, Mustafarajt i është kërkuar që të japë shpjegime për kontaktet me Ardian Çapjan si dhe për mosdeklarimin e këtij fakti në deklaratën e kontrollit të figurës sipas përcaktimeve të ligjit për vetingun e magjistratëve.

Po ashtu, atij i është kërkuar qëndrim lidhur me konstatimin se kontaktet me Çapjan mund ta vendosin atë nën presion dhe se cenojnë etikën e magjistratit.

Për arsye të dorëheqjes së Mustafarajt nga detyra e prokurorit, hetimi administrativ i KPK për këtë subjekt rivlerësimi nuk u përmbyll dhe nuk u arrit në konkluzione përfundimtare për gjetjet e konstatuara në të tre kriteret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA