Ajatollah Ali Kamenei tha sot se SHBA dhe Izraeli organizuan revoltën e armatosur që solli ndryshimin e pushetit në Siri, duke sinjalizuar se Turqia është gjithashtu e përfshirë.
Kamenei gjithsesi refuzonte pretendimet se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë dobësuar pozitën e Iranit dhe aleatëve të tij në rajon.
Disa grupe të armatosura nisën një ofensivë surprizë në Siri në fund të muajit të shkuar, të drejtuara nga grupi Hayat Tahrir-al-Sham (HTS) ndaj të cilave forcat qeveritare nuk bënë thuajse fare rezistencë, shkruan rrjeti The Guardian.
Në mbledhjen e sotme qeveritare Ayatollah Khamenei tha: “Nuk duhet të ketë dyshime se ajo që ndodhi në Siri ishte rezultat i një komploti amerikano-sionist”.
Më tej ai shtoi duke iu referuar Turqisë: “Po, një qeveri fqinje e Sirisë ka luajtur rol të dukshëm në këtë çështje, të gjithë e dinë këtë, por aktorët kryesorë dhe qendrat e komandës janë në Amerikë dhe te regjimi sionist”.
“Ne kemi provat, ato nuk lënë shumë vend për dyshime”, shtoi më tej lideri iranian, sipas agjencive të lajmeve.
Top Channel