Gonzato kërkoi bashkëpunimin e të gjitha forcave, kryeministri Rama: Reformat edhe pa opozitën! Nuk mund të jemi në një mendje

11/12/2024 20:40

Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e takimit të nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsioni.

Kreu i qeverisë foli për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe reformën në drejtësi.

Ai u ndal te deklarata e ambasadorit të delegacionit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato i cili thotë “të gjithë forcat bashkë”, ku shtoi se është e pamundur për të pasur një mendje për reformën në drejtësi në Shqipëri.

“Partia Socialiste e Shqipërisë, forca që qeveris vendin prej vitit 2013 është forca udhëheqëse e reformës në drejtësi dhe pa forcën udhëheqëse të reformës në drejtësi dhe pa bindjen absolute dhe vullnetin e hekurt të Partisë Socialiste, jo Amerika, jo Europa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë dot të mundur reformën në drejtësi.

Thënë kjo, pa diskutim që pa mbështetjen e aleateve tanë strategjikë, kjo reformë do të kishte pasur një rrugë komplet tjetër dhe do të ishte e pamundur, por kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë sepse e përsëris, ne nuk kemi kohë as për të humbur as për të pritur ata që kanë një agjendë tjetër dhe që kanë plan tjetër dhe që nuk iu intereson anëtarësimi në BE qoftë dhe për arsyen e thjeshtë se duan ta bëjnë vetë. Pa hyrë në të tjera gjëra.

Duke u kthyer tek koha dhe duke u kthyer tek arsyeja themelore e krijimit të këtij Komisioni, në 700 faqe të analizës sot që flasim nuk ka asnjë fjalë për drejtësinë dhe për pushtetin gjyqësor por ju them që, që Shqipëria të anëtarësohet në BE duhet të performojnë me të njëjtën shpejtësi, duhet të performojnë me të njëjtën bindje dhe duhet të performojnë me të njëjtin efikasitet 157 institucione të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë detyra specifike dhe 32 prej të cilave në këtë proces të negociatave që ka të bëjë me kapitullin e themeloreve nuk kanë asnjë varësi nga qeveria. Zero! Qeveria e Republikës së Shqipërisë as mund t’iu thotë çfarë duhet të bëjnë, as mund të kërkojë prej tyre llogari pse nuk e bëjnë këtë. Mirëpo në tryezën e negociatave Bashkimi Europian nuk negocion me qeverinë. Bashkimi Europian negocion me Shqipërinë. Qeveria ka pjesën e saj gjyqësori ka pjesën e e vet dhe të gjitha insitucionet e tjera, autoritete, agjenci, e me radhë kanë pjesën e tyre. Dhe pyetja është shumë e thjeshtë, nëse ne duam që 855 masa, të cilat lidhen me shtetin e së drejtës, ku 59 % të detyrave i ka pushteti gjyqësor dhe i kanë institucionet e drejtësisë, Republika e Shqipërisë t’i realizojë me sukses, këtu nuk mund të diskutojmë fare, por duhet që të gjithë të biem dakord që duhet të koordinohemi dhe të harmonizojmë veprimtarinë e shtetit shqiptar, në mënyrë që avancimi ynë drejt përfundimit të negociatave të jetë uniform se nuk ka asnjë rëndësi, nëqoftëse shoqëria  avancon dhe bën të vetat apo një pjesë tjetër avancon dhe bën të vetat, dhe një pjesë tjetër nuk i bën të vetat në mënyrën dhe në kohën e duhur. Dhe pyetja që lind këtu është shumë e thjeshtë: cili është vendi dhe cili është institucioni në këtë Republikë që mund t’i mbledhë të gjithë rreth këtij misioni dhe që mund të sigurojë që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilëve iu shërbejnë të gjitha këto institucione, të jenë të garantuar që asnjë institucin nuk i tradhëton në pritshmërinë e tyre për ta parë Shqipërinë anëtare të BE? Ka vetëm një institucion që mund ta bëjë këtë dhe nuk ka asnjë tjetër dhe ky institucion është Kuvendi i Shqipërisë, i cili është për natyrën e vet kushtetuese, i vetmi institucion që ka të drejtën dhe detyrën t’i thërrasë të gjithë, edhe madje, në procesin  e vet të natyrshëm, t’u kërkojë dhe hesap dhe të bëjë edhe rezoluta, të ngrejë dhe probleme, të nxjerrë dhe pretendime e t’u kërkojë dhe llogari.

Kështu është funksioni. Atëherë ky është institucioni që mund të garantojë që procesi është i harmonizuar, procesi është transparent dhe procesi ka edhe elementin llogaridhënës të të gjithë insitucioneve. Shqipëria është një republikë që ka tre pushtete të pavarura nga njëri-tjetri; legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, por të tre këto pushtete kanë detyrimin të ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe pastaj në këtë proces duhet të udhëhiqen nga sensi i misionit kombëtar, të harmonizimit të të gjithë forcave për të arritur rezultatet.

Në këto masa, reforma në drejtësi, paprekshmërinë e së cilës, sot, nuk e garanton as Ambasada Amerikane, nuk e garanton as Ambasada e BE, nuk e garanton asnjë ambasadë tjetër në Republikën e Shqipërisë, por e garanton Partia Socialiste e Shqipërisë, që është forca e shumicës qeverisëse në këto 855 masa, ka 41 masa që duhet të kryhen, që do të thotë që edhe aty, jo se e themi ne, por sepse e thotë deyrimi që kemi nëse duam të bëhemi anëtarë të BE, do të duhet të ndërhyhet. Natyrisht, tani duke thënë që paprekshmërinë e reformës në drejtësi e garanton sot për sot, kjo forcë që qeveris vendin dhe që është shumicë, që do të ishte mirë ta garantonte në fakt tërësia e forcave politike që janë sot kuvendin e Shqipërisë,  por që nuk kanë në fakt të njëjtin mendim për paprekshmërinë e vendit në drejtësi, duhet të them dhe tjetrën, që çdo prekje e reformës në drejtësi në funksion të adaptimit dhe të përmirësimit përsa i përket detyrave të anëtarësimit, duhet të kalojë përmes BE dhe patjetër edhe SHBA.

Kështu ka funksionuar kur është bërë reforma në drejtësi dhe kështu do të funksionojë edhe më pas sepse nuk e kemi dhe është e kotë që të përpiqemi ta kërkojmë një hapësirë politike të bashkuar në këtë pikë.

Nuk e kemi. Thjesht fare. Unë e kuptoj shumë mirë Silvion kur thotë “të gjitha forcat”. Kështu duhet të jetë, por ama kemi pamundësinë sot për të pasur një mendje për reformën në drejtësi dhe për të pasur   një mendje për organet e reja të drejtësisë, e kemi të pamundur, sepse ka dy qasje komplet të kundërta.”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA