Gjatë një takimi me përfaqësues të ekonomisë zvicerane të organizuar në Zyrih nga revista Weltwoche, presidenti serb Aleksandar Vuçiç foli për Kosovën, tensionet gjeopolitike dhe perspektivat ekonomike të vendit të tij.
Vuçiç ka kritikuar ndërhyrjen e NATO-s të viteve 1998/99 dhe ka bërë krahasime me krizën në Ukrainë.
“Argumentet në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës kuptohen mirë në Serbi, por të njëjtat parime iu mohuan Serbisë në vitin 1999”, ka thënë ai i cituar nga e përditshmja gjermane Berliner Zeitung.
Ai pretendon se NATO kishte vepruar „pa mandat të OKB-së dhe jashtë kornizës të së drejtës ndërkombëtare për të mundësuar shkëputjen e Kosovës nga territori serb.
Me pranimin e plotë të rajonit të Ballkanit në BE, mund të zgjidhet problemi me Kosovën, citon Berliner Zeitung Vuçiçin.
Sipas saj Vuçiç ka përmendur shembuj të suksesshëm nga historia më e re evropiane, si Tirolin e Jugut, Alsasën ose marrëdhënien moderne gjermano-polake, të siguruar nga heqja dorë përfundimtare e Gjermanisë nga territoret lindore në marrëveshjen 4+2 të vitit 1990.
Tiroli i Jugut është një rajon autonom në Itali, i banuar kryesisht nga gjermanofolës, ku konflikti për identitetin dhe të drejtat kulturore u zgjidh përmes një autonomie të zgjeruar në vitet 1970.
Alsasa, një rajon në Francë me histori të gjatë konfliktesh mes Gjermanisë dhe Francës, u bë simbol i pajtimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Integrimi i tij në Francë me respekt për kulturën dhe gjuhën vendase tregon suksesin e dialogut dhe bashkëpunimit evropian.
Ndërsa marrëveshja Katër Plus Dy (1990) u nënshkrua mes dy Gjermanive dhe katër fuqive aleate për të lejuar ribashkimin e Gjermanisë, duke garantuar heqjen dorë nga pretendimet territoriale mbi zonat lindore.
Presidenti serb ka nënvizuar rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në Europë dhe potencialin e saj historik si ndërmjetësuese, duke thënë se Gjermania, për shkak të historisë së saj moderne, është e destinuar të marrë një rol strukturës në këtë diskutim.
Top Channel