Viti i ri që pritet të vijë mund të na gjejë me zakone të reja dhe përmirësime në trupin e shpirtin tonë, por për avokatët e divorcit periudha po bëhet gjithnjë e më e zënë me punë pwer ta, shkruan rrjeti Ladbible.
Avokati i njohur i divorcit në New York, James Sexton, ka treguar së fundmi disa nga arsyet kryesore të ndarjes së çifteve në zyrën e tij, dhe propozon mënyrat për të evituar ‘thyerjen e zemrës’ për fundvit dhe vitin që vjen.
Duke folur me rrjetin New York Post, Sexton, i cili shpesh poston këshillat e tij në Instagram, thotë se 56 përqind e martesave përfundon në procesin e vrazhdë të divorcit ndërsa 20 e çifteve mundohen të qëndrojnë së bashku për hir të fëmijëve, ose për mos ndarjen e pasurisë.
Këto janë tetë arsyet e Sexton që çojnë çiftet në divorc dhe këshillat për t’i shmangur.
Vetëkënaqësia:
Sexton thotë: “Njerëzit nisin të ndjehen rehat dhe komforti kthehet në dembelizëm e vetëkënaqësi. Mos ndaloni së bëri gjërat që e kënaqin partnerin tuaj, dhe bëjnë që ai/ajo të ndjehet i veçantë”.
“Mos neglizhoni gjërat e vogla, si per shembull të përgatisni një kafe apo të gatuani darkën”.
Eksperti thotë se në marrëdhënie duhet të ketë një kohë për intimitet dhe për seks. “Rruga drejt divorcit afrohet shpejt nëse nuk keni kohën e caktuar fizike së bashku në dhomën e gjumit”, shton ai.
“Seksi është ajo qe e dallon një marrëdhënie ‘romantike’ nga lidhje të tipeve të tjera dhe çiftet që e evitojnë këtë nisin të ndjehen si ‘kolegë dhome’”.
Sexton këshillon që prindërit të fokusohen si te fëmijët dhe te marrëdhënia mes tyre.
Ai shton se duhet evituar ‘gracka e mediave sociale’ pasi ata që përpiqen të duken të përkryer në rrjet, e bëjnë këtë në kurriz të lidhjes së tyre në jetën reale.
Kur je gjithë ditën me celular në dorë, mund të humbasësh në ciklin e virtualitetit.
Sexton thotë: “Lidhjen tuaj duhet ta jetoni, e jo ta performoni në rrjet”.
Komunikimi është një nga çelësat e lidhjes së fuqishme teksa Sexton thotë se me mungesën e tij gjërat e vogla shpesh mund të kthehen në një ‘ortek monstër.’
Ai shton se komunikimi është ‘antidot’ i problemeve para se ato të zënë rrënjë, dhe se tradhtia bashkëshortore është simptomë e problemeve më të thella.
Ruajtja e identitetit individual është një tjetër arsye që parandalon prishjen e harmonisë. “Nëse e humbisni vetën në një marrëdhënie, ju humbisni individualitetin tuaj dhe atë që ju bënte tërheqës pikësëpari”.
Për këtë sipas ekspertit, njerëzit duhet të ruajnë miqte e zakonet e tyre, hobby-t dhe pasionet e tjera, që të mos kthehen në një “kupë të zbrazët nga e cila nuk derdhet më asgjë”.
Avokati shton se në disa raste një kontratë paramartesore për pasurinë mund të ndihmojë.
“Njerëzit mendojnë se marrëveshje të tilla nuk janë romantike, por mund të jetë dhe e kundërta, është si të thuash ‘kam aq shumë besim te ty sa mund të flas dhe për gjëra të vështira para se ato të kthehen në një problem”, përfundojnë këshillat e avokatit amerikan.
Top Channel