Lumi Vjosa i njohur si lumi i fundit i egër në Evropë dhe i shpallur Park Kombëtar po përballet me derdhje të vazhdueshme mbetjesh hidrokarbure nga kompania Albpetrol.
Pamjet ekskluzive të siguruara nga Top Channel tregojnë vendburimin e Drenovës, ku nis shkarkimi i këtyre mbetjeve toksike që përfundojnë në përroin e Gorishovës dhe më tej në lumin Vjosa.
Era gaz ndihet sapo ngrihemi në mëngjes, tregon një banor, por më i rrezikshëm bëhet uji i ndotur që helmon gjithçka, shkon në Vjosë dhe dëmton peshqit, tokat tona, madje edhe detin.
Banorët e Drenovës dhe Gorishovës kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e institucioneve për të ndalur këtë katastrofë mjedisore, por zërat e tyre kanë mbetur pa përgjigje.
Të shqetësuar nga kjo situatë banorët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të ndaluar ndotjen e mjedisit, duke mbrojtur tokat bujqësore, burimet e ujit të pijshëm dhe jetën e tyre.
Top Channel