Shpella më e madhe në botë e kristaleve mahnit shkencëtarët në Spanjë (foto-video)

03/12/2024 15:49

Një minierë e braktisur në juglindje të Spanjës fsheh një thesar të shkëlqyeshëm, ose ndryshe, ‘gjeodën’ më të madhe në botë , siç njihet fenomeni i kristaleve masive natyrale që po studiohet nga shkencëtarët.

Miniera e braktisur në Pulpí, në rajonin e Almería është një kavitet natyror brenda një shkëmbi, e veshur e tëra me kristale, tregon gjeologia vendase Mila Carretero, për BBC.

Në dokumentarin e regjistruar studiuesja shihet që hap një nga formacionet shkëmbore të mbushur me gurë të çmuar për të bërë krahasimet.

“Kristalet janë të gjithë njëlloj, ndryshojnë vetëm nga përmasat, disa janë të vegjël disa të tjerë të stërmëdhenj”, thotë gruaja.

Shpella ‘Pulpí Geode’ është tetë metra e gjerë dhe dy metra e thellë.

“Kjo gjeodë është zbulimi më i bukur i bërë ndonjëherë”, thotë studiuesja, duke shtuar se fenomeni më i ngjashëm me Pulpí, është miniera e kristaleve Naica në Meksikë, e cila është shumë më e gjerë, rreth 15m në krahasim me 2 metra të Pulpí’.

Gjeoda në Mina Rica u zbulua teksa galeria shfrytëzohej për argjend nga viti 1873 deri në 1969. Por vetëm në 1999 gjeologët e sollën atë në vëmendjen botërore.

“Kur minatorët asokohe shpërthenin shkëmbin, zbuluan këtë mrekulli, por ata nuk duhet të ishin të kënaqur pasi kërkonin minerale më të çmuara. Pesha e kristaleve dhe vlera e tyre i bënte të paleverdisshëm”, shton studiuesja për BBC.

Ajo shton se hapësira besohet se më parë ka qenë nën ujë, dhe kur lëngjet vullkanik u ftohën sollën formimin e kristaleve.

Ata llogarisin se kristalet nisën të formoheshin rreth 2 milionë vjet më parë. “Sa më ngadalë kristali rritet, aq më i madh e më i përkryer bëhet”, thotë Carretero.

Galeria u hap për publikun në 2019, kur instaluan një shkallare emergjence dhe u spastruan mbetjet minerare.

Kristalet në Pulpí janë shumë transparente dhe vizitorët vijojnë të mahniten nga fenomeni i rrallë natyror, siç tregohet në dokumentarin BBC World of Wonder.

FOTO GALERI
1/3
Një minierë e braktisur në juglindje të Spanjës fsheh një thesar të shkëlqyeshëm, ose ndryshe, ‘gjeodën’ më të madhe në botë , siç njihet fenomeni i kristaleve masive

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA