Vrau mikun e tij në mes të lokalit në Ndroq, pas 24 orësh në arrati, autori dorëzohet në polici
02/12/2024 17:36
Pas më shumë se 24 orësh në arrati, është dorëzuar në polici autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja, 26-vjeçari Julian Gjoshi.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në një lokal në fshatin Ndroq në Tiranë, kur 26-vjeçari u fut në ambientet ku viktima po drekonte me miq, dhe pasi ky i fundit u ngrit në këmbë për ta takuar, i riu e qëlloi me disa plumba.
Pas ngjarjes, ai është arratisur nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij “ML”, por sipas policisë pasi janë bërë bllokimet e pikave të kalimit dhe pamundësia për të qëndruar i fshehur, është dorëzuar sot.
Ende nuk dihen arsyet se përse i riu kreu vrasjen, ndërsa dyshime hidhen për prishje pazaresh droge, dhe se ata ishin miq më herët.
Top Channel