Aida Hajnaj, drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka raportuar sot në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës, i zhvilluar në Kuvend, në lidhje me punën e BKH.
Duke vlerësaur objektin e diskutimit të këtij paneli, Hajnaj u shpreh se në luftën kundër korrupsionit, BKH ka gjetur mbështetje për bashkëpunim.
“Jemi përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë gjithëpërfshirëse brenda vendit, me partnerët ndërkombëtare. Më duhet ta pranoj që ngritja e BKH është një nga sukseset e reformës në drejtësi. Sot BKH ka një sektor për hetimin e korrupsionit. Proces është edhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore, me qëllim vendosjen e plotë të funksioneve të BKH”, u shpreh Hajnaj.
Qëllimi, tha drejtuesja e BKH është të mos kthehemi më në listën gri. “Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit pa garantimin e ruajtjes së integritetit profesional dhe personal. Suksesi për t’u ngritur në kapacitet, i bashkangjitet edhe sukseset në goditjet e rastet të korrupsionit, të lidhura edhe me pastrim parash apo krimit të organizuar”, tha ajo.
Në fund, Hajnaj theksoi se kanë referuar në SPAK 26 raste, ndërsa raporton se BKH ka marrë akses në disa nga institucionet shtetërore.
“BKH ka kryer veprime për disa raste, kur janë vënë në dijeni për kryerjen e një vepre penale, kanë bërë verifikime dhe i kanë referuar në Prokurorinë e Posaçme. Për periudhën 2023-2024, nga BKH janë referuar në SPAK 26 raste, 19 prej të cilave janë për korrupsion dhe pastrim të produktit të veprës penale apo veprimtarisë kriminale. Mbetet sfidë që duhet të rrisim numrin e referuar. Rol të rëndësishëm në hetime e luan shkëmbimi i informacionit. BKH ka marrë akses në 19 databaza në institucione të ndryshme. Shprehim mirënjohjen për mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë”, tha ajo.
Top Channel