Në një konferencë me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi ngjarjen e djeshme në Ndroq, ku u vra me armë zjarri Alfred Dedja.
Berisha tha se për Jan Prengën u akuzuan kamerierët e Altin Hjrit, ndërsa shtoi se ai vetë është i lirë.
Ndër të tjera kryedemokrati tha se vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimi si një sipërmarrje e përbashkët e krimit dhe shtetit.
“Çështja e dytë për të cilën jam sot para jush, dje mbasdite u ekzekutua publikisht në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriut që dinte të gjitha. Ai, Dedja, kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit.
Imagjinoni ju një moment, njeriu që e kishte liruar nga burgu këtë Julian Gjoshin, që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar, tani e urdhëron në një akt in-ekstremis, të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës.
E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze. Mafia me shtetin të bashkuar. E gjitha kjo për të mbyllur aferën, sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamerierët e Altin Hajrit, kurse Altini është i lirë, Altini tani pastron oborrin dhe u detyrua në fund të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike. Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e shtetit me krimin, e mafies me shtetin.
Ndryshe, Dedja duhet të ishte një dëshmitar i mbrojtur, i çmuar, por nuk pati kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës. Edhe këto që shihni ju, dosjet që të gjitha vijnë nga jashtë, Dumani fle mbi to. Të gjitha janë nisma të prokurorive partnere, asnjë nismë e tij. Jo, aty i ka pasur të gjitha veprimet.”, thsa Berisha.
Top Channel