Autoblinda e ushtrisë shtyp gruan gjatë protestave pas-zgjedhore në Mozambik (fotot)

30/11/2024 17:16

Gruaja pësoi plagë serioze në kokë në incidentin në kryeqytet, ndërsa policia qëlloi për vdekje dy protestues në veri të vendit.

Një automjet i ushtrisë ka goditur rëndë një grua në kryeqytetin e Mozambikut Maputo, teksa protesta të gjera kanë përfshirë vendin jugor të Afrikës dy javë pas zgjedhjeve që u deklaruan të manipuluara nga opozita.

Video të incidentit të rëndë u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale ku shihej mjeti i blinduar që ecte me shpejtësi të lartë në një rrugë të mbushur me njerëz, duke goditur një barrikadë të improvizuar nga protestuesit, dhe më pas duke shtypur gruan.

Gruaja pësoi plagë në kokë por raportohet jashtë rrezikut për jetën, sipas mjekëve të spitalit  kryesor në Maputo.

Ushtria e Mozambikut tha se “aksidentalisht kishin goditur me makinë një qytetare” dhe se do të kujdeseshin për kujdesin e saj mjekësor.

“Forcat e armatosura shprehin keqardhje për atë që ndodhi. Incidenti do të hetohet rigorozisht për t’u siguruar që situata të tilla të mos ndodhin më”, thuhej në deklaratën e tyre.

Ndërkohë policia kishte qëlluar për vdekje dy protestues në qytetin verior Nampula ku turmat kishin bllokuar një rrugë dhe po digjnin goma, tha një prej aktivistëve.

Mozambiku është përfshirë nga protesta që prej zgjedhjeve ku Daniel Chapo, kandidati partisë që sundon vendin prej vitit 1975, mori 70.7% të votave, sipas rezultateve zyrtare.

Lideri opozitar Venâncio Mondlane, mori vetëm 20.3% të votës, por tashmë është larguar nga vendi dhe ka bërë thirrje për bllokim të rrugëve në protestë ndaj vjedhjes së pretenduar të votës.

Grupi ‘Human Rights Watch’ tha se prej nisjes së protestave janë vrarë të paktën 65 njerëz.

Protestuesi 30 vjeçar Ancha Bai, tha për rrjetin AFP: “Ne duam ndryshim në këtë vend, duam të jemi të lirë, nuk duam të shkojmë në universitet për të ndenjur në shtëpi menjë diplomë”.

Një tjetër i ri i diplomuar që nuk donte të identifikohej tha për The Guardian: “Jemi të lodhur me këtë regjim shtypës e të korruptuar. Frelimo ka vjedhur zgjedhjet, më mirë të protestoj sesa të vdes për bukë në shtëpi”.

Ambasadat perëndimore dënonin dhunën e përdorur nga policia ndaj protestuesve, shkruan The Guardian.

FOTO GALERI
1/3
Mozambiku është përfshirë nga protesta që prej zgjedhjeve ku Daniel Chapo, kandidati partisë që sundon vendin prej vitit 1975, mori 70.7% të votave, sipas rezultateve zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA