Të rinjtë njohin historinë! Aktivitete të ndryshme në Gjirokastër për festat e 28-29 Nëntorit

29/11/2024 12:14

Në Gjirokastër festat e Nëntorit nisën gati një muaj më parë me përgatitje aktivitetesh që përfshinë këtë vit më shumë të rinjtë.

Dhjetëra mësues, pedagogë e artistë u angazhuan në një fushatë njohjeje të rinjve me historinë, letërsinë dhe artin kushtuar Pavërësisë dhe 80 vjetorit të Çlirimit të vendit. Disa qindra nxënës dhe studentë u bënë pjesë e eventeve që vijojnë të mbahen prej disa ditësh. Universiteti i Gjirokastrës në bashkëpunim me teatrin profesionist të qytetit sollën një mbrëmje emocionuese poezie dhe kënge të lidhur me këto festa.

Studentët të udhëhequr nga artistët kanë sjellë në skenë disa nga autorët më të mëdhenj shqiptarë që krijuan dhe punuan përgjatë dy shekujve të fundit për të lartësuar ndjenjat kombëtare. Kështu në skenë erdhën poezitë hymn të Mitrush Kutelit, Dritëro Agollit, Ali Asllanit, Petrit Rukës, dhe një pjesë e repertorit të këngëve klasike kushtuar atdheut.

“Ishte një eksperiencë e mbrekullueshme. Për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një event të tillë. Ishte kënaqësi shumë e madhe të interpretoja para publikut, para pedagogëve”, u shpreh Katerina Sehiti, studente.

“Unë jam studente e vitit të dytë në letërsinë shqipe në universitetin “Eqrem Çabej” dhe për mua ishte një eksperincë që nuk do ta harroj sepse përpos faktit që është një aktivitet që zhvillohet për atdhetarizmin, nga poezitë që kemi recituar ne kemi mësuar shumë më tepër nga historia”, tha Majlinda Memushi, studente.

Sipas drejtuesit të eventit artistit Kudret Aliko ky vit bëri më shumë të rinj të gjejnë një motiv tek patriotizmi i shëndetshëm, tek njohja e vetes dhe identifikimi me kombin.

“Gjëja më e veçantë dhe më e bukur e këtij aktiviteti ishte angazhimi i të rinjve të universitetit “Eqrem Çabej” që kishin bërë një punë shumë të mirë. Kur ndjen rininë që e do artin ne brezi i vjetër i aktorëve ndihemi shumë të kënaqur dhe shumë fatlum. Mirë është që kjo flakë të mbahet gjallë sepse i shpëtojmë edhe nga ca lokale edhe nga ca gjëra që të rinjtë. Arti është vërtetë frymë”, tha Kudret Alikaj, aktor.

Njëkohësisht memorjes historike të të dy datave ju kushtuan homazhe, ekspozita, kërkime shkencore, parada e marshime. Ky ishte përvjetori i parë ndër vite që festimet nuk mbetën sipërfaqësore por sollën më shumë njohuri historike sidomos për të rinjtë, kur u përkujtuan shumë emra patriotësh e atdhetarësh të letrave e të betejave që kontribuuan për Pavarësinë dhe Çlirimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA