Vendasit celebronin dje hapjen e pistën së re madhore të aeroportit të qendrës së Groenlandës, Nuuk.
Pista e re e uljes 2,200 metra e gjatë do të shtojë mundësitë e udhëtimit drejt ishullit të akullt verior, që ka nisur të shënojë rritje të interesit turistik.
Disa ditë pas hapjes së terminalit të ri të pasagjerëve në Nuuk vjen dhe pista e re që aftëson uljen e avionëve më të mëdhenj, që më parë mund të uleshin vetëm në pistën më veriore të Kangerlussuaq.
Pista e mëparshme e aeroportit të Nuuk ishte vetëm 950m e gjatë dhe kufizonte aftësitë e trajtimit të mjeteve me më shumë pasagjerë.
Pista e re besohet të shtojë mundësitë e lëvizjes drejt kryeqytetit të Groenlandës, teksa territori kërkon të kthehet në një destinacion turistik për Evropën dhe Amerikën veriore. Linjat ajrore vendase Air Greenland kanë transferuar tashmë fluturimin kryesor nga Copenhagen drejt aeroportit verior Kangerlussuaq, në aeroportin e Nuuk.
Territori i gjerë është i mbuluar nga akulli në rreth 80 përqind të sipërfaqes me panorama të qeta e të paprekura, dhe vitet e fundit duket se kjo ftohtësi e palëvizur po preferohet nga vizitorët.
Në 2023 vendi raportohet se tërhoqi rreth 100,000 turistë kryesisht të interesuar në aktivitetet natyrore të vendasve.
“Do të dëshironim më shumë turistë këtu pasi është e mirë për komunitetin lokal. Në qytetin tim ka pak njerëz pasi njerëzit shkojnë drejt qendrës së ishullit Nuuk, sepse aty ka më shumë vende pune,” thoshte me herët detari vendas Michael.
Ndërsa Taatsi Fleischer, përfaqësues i Organizatës së Rrethit të Arktikut thotë se nuk shpreson për një vërshim madhor të turistëve në Groenlandë pasi kjo ka të bëjë shumë me infrastrukturën turistike.
“Turistët për të ardhur këtu duhet të marrin avionin, por edhe pse të gjithë e bëjnë këtë sot, ata duhet të kenë dhe hotelin apo kushte të tjera. Dhe këto nuk mund të ndërtohen brenda natës”, thotë Fleischer.
Ndryshe mendonte Mette Scharling Laursen, një psikologe vendase që ka nisur një biznes të vogël turizmi e mikpritjeje për vizitorët e lokalitetit.
“Ne në fakt kemi shumë mundësi për turizëm këtu në Maniitsoq. Kemi lundrime shumë të bukur me varka, kemi ekskursione ose ngjitje në mal, ose dhe ski në sezonin e duhur. Panorama këtu është e mrekullueshme, aq më shumë prej qetësisë që mbizotëron”, tha e reja për rrjetin AFP.
Top Channel