“Goca e Kaçanikut”, shfaqja e njohur rikthehet në TKOB në bashkëpunim me Operën e Kosovës! Homazh për Festën e Flamurit

25/11/2024 19:58

Opera “Goca e Kaçanikut”, një nga shfaqjet më të suksesshme, që pati premierën në Tiranë në 1979 dhe për herë të parë u shfaq këtë vit edhe në Kosovë, rikthehet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Vepra e kompozuar nga maestro Rauf Dhomi vjen për publikun artdashës në bashkëpunim me Operan e Kosovës, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit si një homazh për Festën e Pavarësisë.

“Desha t’i jepja veprës një frymë monumentale, heroike, ta ngrija në qiell vendosmërinë për ta pritur armikun me luftë. E lidha historinë me shtetin e sotëm të Kosovës, ku edhe sot e japin jetën për vendin”, u shpreh regjisori i veprës, Nikolin Gurakuqi.

“Opera e Kosovës për herë të parë ngjitet në këtë skenë, ndjenja rritet edhe më tepër kur pas gati 50 vitesh, ne rikthejmë në këtë skenë operan e parë të një kompozitori shqiptar nga Kosova”, tha kryetarja e Bordit të Operës së Kosovës, Rreze Kryeziu Breznica.

“Ky rol, në thelb, pasqyron figurën e një femre shqiptare, e cila në histori njihet që ka qenë natyrë vetëflijuese”, u shpreh soprano Adelina Paloja.

Mes emocioneve, artistët nga Kosova theksojnë kërkesën për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës.

“Shpresoj që së shpejti edhe ne të kemi një objekt të tillë. Ky është një lloj testi për ne, se si do të funksionojmë në një shtëpi të vërtetë operistike”, theksoi dirigjenti i veprës, Edon Ramadani.

“Goca e Kaçanikut” është një histori dashurie, po aq sa trimërie dhe lirie, me frymë folklorike. Skenat me simbole, kostumet e stilizuara do të pasurojnë shfaqjen që premton emocione për publikun këtë të hënë në mbrëmje në TKOB.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA