Lufta në Ukrainë, Zelensky bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajrore

24/11/2024 17:18

Presidenti Volodymyr Zelensky tha të dielën se Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore ndërsa ushtria ukrainase rrëzoi 50 nga 73 dronët rusë të lëshuar gjatë natës në shumë rajone të vendit.

“Sirenat a alarmit kanë ushtuar pothuajse çdo ditë në të gjithë Ukrainën këtë javë”, tha Presidenti Zelenskiy në rrjetin Telegram.

Gjatë javës së kaluar Rusia përdori më shumë se 800 bomba ajrore, rreth 460 dronë sulmues dhe më shumë se 20 raketa të llojeve të ndryshme, tha zoti Zelenskiy.

Ndërkohë, dy raketa ukrainase dhe 27 dronë u shkatërruan mbi rajonin Kursk të Rusisë, tha të dielën guvernatori i rajonit që kufizohet me Ukrainën.

Ushtria ukrainase shkroi më pas në rrjetin Telegram se forcat e saj kishin shkatërruar në Kursk një sistem rus raketash kundërajrore të tipit S-400. Agjenica e lajmeve Reuters nuk mund ta konfirmonte në mënyrë të pavarur njoftimin.

Ukraina ka humbur mbi 40 për qind të territorit në rajonin rus të Kurskut, të cilin e pushtoi gjatë një sulmi të papritur në muajin gusht.

Ndërkohë, hetuesit ukrainas po studiojnë mbetjet e një rakete të re balistike ruse me rreze të mesme veprimi që goditi qytetin e Dnipro të enjten, hera e parë që një armë kaq e fuqishme përdoret në luftë.

Rusia thotë se raketa Oreshnik nuk mund të asgjësohet nga mbrojtja ajrore. Ukraina ka thënë se raketa arriti një shpejtësi maksimale prej më shumë se 13,000 kilometra në orë përpara se të godiste qytetin Dnipro të enjten.

Presidenti ukrainas ka thënë se përdorimi i raketës përbën përshkallëzim të rëndë ndërsa u ka bërë thirrje aleatëve që të reagojnë. Kremlini ka thënë se goditi një objektiv ushtarak ukrainas në Dnipro në përgjigje të sulmeve të Kievit ndaj Rusisë me raketa amerikane dhe britanike. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA