Irani do të zhvillojë bisedime me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë, më 29 nëntor, lidhur me çështjet bërthamore dhe rajonale, ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei.
Ai nuk ka treguar se ku do të zhvillohen bisedimet, mirëpo agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo, ka raportuar më herët gjatë ditës së përfaqësuesit e katër vendeve do të takohen në Gjenevë, Zvicër.
Ky njoftim është bërë disa ditë pasi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore, e ka miratuar një rezolutë kundër Iranit.
Sipas zyrtarit iranian, “Teherani ka besuar gjithmonë që çështjet bërthamore duhet të zgjidhen përmes diplomacisë” dhe që “Irani nuk i ka braktisur kurrë bisedimet”.
Sipas raportimeve të medias japoneze, Qeveria e presidentit iranian, Masoud Pezeshkian po synon të gjejë një zgjidhje për bllokadën bërthamore, para kthimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Më 2018, administrata e atëhershme e Trumpit i pati larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur mes Iranit dhe fuqive botërore.
Pas largimit nga marrëveshja, Trump pati rikthyer sanksione të ashpra kundër Teheranit, duke shtyrë këtë të fundit që të shkelë pikat e marrëveshjes, të rinisë pasurimin e uraniumit dhe të instalojë centrifuga të avancuara për të shpejtuar prodhimin e materialeve për armë bërthamore.
Bisedimet jodirekte në mes të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden dhe Teheranit, për të ringjallur marrëveshjen patën dështuar.
Përgjatë fushatës, Trump ka thënë se “duhet arritur marrëveshje, sepse pasojat janë të paimagjinueshme”./ REL
Top Channel