Gjermania konsiderohet si një nga mbështetëset më të mëdha të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, e cila filloi veprimtarinë në korrik 2002 dhe ka 124 shtete anëtare, por që nuk përfshin vende të rëndësishme si SHBA apo Rusia.
Kjo gjykatë lëshoi pak ditë më parë urdhër arreste ndërkombëtare kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Joav Galant me argumentin se “ka arsye të mjaftueshme për të supozuar se me luftën në Rripin e Gazës, të dy ngarkohen si bashkëfajtorë në krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”.
Një urdhër arresti u lëshua gjithashtu për liderin e Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri. Gjykata vetë nuk ka kapacitete të ekzekutojë vetë urdhërarrestet. Por shtetet e saj anëtare – përfshirë Gjermaninë – janë zyrtarisht të detyruara të arrestojnë të kërkuarit, nëse janë në territorin e tyre. Kjo ka bërë që në Gjermani të lindë një dilemë e fortë: Nëse Netanyahu e viziton vendin, a duhet të arrestohet apo jo? Kryeministri izraelit ishte atje vitin e kaluar dhe një vizitë tjetër e tij nuk pritet aktualisht në një të ardhmne të afërt.
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me dilemën mes gjykatës penale dhe solidaritetit me Izraelin, zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit tha se: “Nga njëra anë është rëndësia e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të cilën ne e mbështesim fuqishëm, dhe nga ana tjetër përgjegjësia historike, si e cituat ju. Në dritën e këtyre dy aspekteve duhet parë kjo deklaratë. Mund të tundohesha e të them, që e kam të vështirë të përfytyroj, që mbi këtë bazë të bëjmë arrestime në Gjermani”. Kryeministri i landit federal Hesen, Boris Rhein (CDU) i quajti urdhër-arrestet “absurde” tdhe deklaroi se “Është krejtësisht e pamundur për mua që një kryeministër i zgjedhur në mënyrë demokratike nga Izraeli të arrestohet në tokën gjermane. sepse ai mbron vendin e tij kundër terroristëve”.
Top Channel