Përdorimi i gjuhës shqipe dhe aspekte të tjera, si përdorimi i simboleve kombëtare, përfaqësimi në Parlament dhe në institucione tjera, patën nxitur konflikt të armatosur më 2001, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i cili përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit.
Me këtë marrëveshje, Kushtetuta u ndryshua përmes 15 amendamenteve, të cilat rregulluan edhe përdorimin e gjuhëve të tjera në vend, përveç asaj maqedonase. U vendos që gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut janë gjuha maqedonase dhe gjuhët e tjera që fliten nga mbi 20 për qind e qytetarëve të vendit.
Kështu, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera iu dha mundësia e integrimit në shoqëri, shpjegon REL. Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, Maqedonia e Veriut i ka rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54 për qind janë maqedonas, 29 për qind shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla. Përdorimi i gjuhës shqipe është rregulluar ndërkohë edhe me ligje të tjera, përfshirë një të vitit 2008, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë. Partia VMRO-DPMNE, e cila më 2018 ishte në opozitë, ndërsa sot në pushtet, e kundërshtoi ashpër miratimin e Ligjit, nuk mori pjesë në votim dhe e dërgoi këtë dokument menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.
Përveç Ligjit për gjuhët, në Gjykatë u paraqitën edhe kundërshtime tjera dhe, tani, të gjitha ankesat e parashtruara, 13 të tilla, pritet të marrin zgidhje me një vendim që do të bëhet publik në dhjetor. Por ekspertët nuk janë shumë optimistë, e kujtojnë se rasti i shfuqizimit të Balancuesit, mekanizmi që rregullonte përfaqësimin “e drejtë ” të komuniteteve në institucionet shtetërore në këtë vend, tregon se qëllimi mund të jetë një interpretim shumë më i rreptë i të drejtave që burojnë nga marrëveshjet e së shkuarës.
Top Channel