Trupat izraelite kanë zhvilluar beteja të ashpra me Hezbollahun – grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – më 22 nëntor në pjesë të ndryshme në jug të Libanit, përfshirë edhe në një qytezë ku kanë selinë paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.
Një zëdhënës i forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban, që njihet me shkurtesën UNIFIL, i tha Associated Press se po monitorojnë “luftime të ashpra” në qytezën bregdetare të Nakuras dhe në fshatin Çama, në verilindje.
Selia e UNIFIL-it gjendet në Nakura, në cepin më jugor të Libanit, që gjendet pranë kufirit me Izraelin.
“Jemi të vetëdijshëm për granatime të rënda në afërsi të bazave tona”, tha zëdhënësi i UNIFIL-it, Andrea Tenenti. I pyetur nëse paqeruajtësit dhe stafi i selisë janë të sigurt, Tenenti tha: “Po, për momentin”.
Disa pika të UNIFIL-it janë goditur që kur Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore në Liban më 1 nëntor, duke plagosur disa paqeruajtës.
Luftimet e ashpra vijnë një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. GJNP ka lëshuar fletarrestime edhe ndaj një udhëheqësi ushtarak të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën në Gazë që nisi në tetor të vitit 2023.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës dhe të paktën një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.
Izraeli po ashtu ka kryer sulme ajrore në Liban, pasi Hezbollahu nisi sulmet me raketa një ditë pas nisjes së luftës në Gazë. Në shtator, luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzuan./ rel
Top Channel