Austria ka hequr veton e saj sa i përket bashkimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën pa pasaporta, Schengen, duke hapur mundësinë që këto dy shtete të anëtarësohen vitin tjetër.
Ky vendim u bë publik më 22 nëntor nga Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian, që organizoi një takim në Budapest të ministrave të Brendshëm të Rumanisë, Bullgarisë dhe Austrisë.
BE-ja do të takohet me dy shtetet kandidatet për të finalizuar paketën e përbashkët të sigurisë gjatë takimit më 11-12 dhjetor. Dy shtetet mund të bëhen anëtare të Schengen-it në janar të vitit 2025.
“Bulgaria dhe Rumunia i përkasin plotësisht zonës Shengen. E mirëpres rezultatin pozitiv të bisedimeve joformale në Budapest sot”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në X.
Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë do ta zgjeronte zonën Shengen në 28 shtete, duke përfshirë 24 anëtarë të BE-së. Irlanda dhe Qiproja do të mbeten anëtaret e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Shengen.
Bullgarëve dhe rumunëve aktualisht nuk u lejohet të udhëtojnë lirshëm në shtetet e tjera anëtare të Shengen-it përmes kufijve tokësorë. Në fillim të këtij viti, ata fituan të drejtën që të udhëtojnë pa pengesa përmes ajrit dhe detit, pasi Vjena zbuti qëndrimin e saj karshi dy vendeve.
Pas takimit në Budapest, ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, i tha gazetarëve se marrëveshja që do të nënshkruhet muajin e ardhshëm përfshin krijimin e një kontingjenti special prej të paktën 100 oficerëve të policisë kufitare në kufirin turko-bullgar.
Hungaria do të kontribuojë në dislokimin e plotë të oficerëve dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike për të garantuar mbrojtjen efektive të kufirit, tha ai. Pinter u shpreh optimist se çështja mund të zgjidhet deri më 31 dhjetor.
Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha se janari është afat realist për anëtarësimin e dy shteteve në Schengen./REL
Top Channel