Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Gazprombank, bankën e tretë më të madhe të Rusisë, dhe dhjetëra institucione të tjera financiare, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, po tenton që të dëmtojë edhe më tej aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën e tij në Ukrainë, para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas dy muajsh.

Gazprombank, që luan rol të madh në lehtësimin e eksporteve ruse të energjisë, ishte banka e vetme e madhe ruse që kishte mbetur deri më tani pa u goditur nga sanksionet amerikane. Uashingtoni dhe Brukseli kishin shmangur sanksionimin e Gazprombank, pas shqetësimeve se mund të kishte pengesa në eksportet e energjisë.

Përveç Gazprombank, SHBA-ja po ashtu njoftoi se ka sanksionuar mbi 50 banka të tjera ruse që kryejnë operacione ndërkombëtare dhe mbi 40 regjistrues rusë të letrave me vlerë dhe 15 zyrtarë financiarë rusë.

Uashingtoni po ashtu paralajmëroi institucionet financiare kundër bashkimit në versionin e Rusisë të sistemit ndërkombëtar të mesazheve për bankat, që njihet me shkurtesën SWIFT. Rusia po synon të tërheqë bankat ndërkombëtare që t’i bashkohen platformës së saj të mesazheve, në mënyrë që të shmangë sanksionet financiare të vendosura nga SHBA-ja.

“Veprimet e sotme riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të kufizuar aftësinë e Rusisë që të përdorë sistemin financiar ndërkombëtar për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës dhe për të penguar përpjekjet e Rusisë për të kryer pagesa ndërkufitare për mallrat me përdorim të dyfishtë dhe materialeve ushtarake”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përmes një deklarate më 21 nëntor.

Mbështetësit e Ukrainës për muaj të tërë i kanë bërë thirrje administratës së Bidenit që të ashpërsojë sanksionet ndaj sektorit bankar rus, duke thënë se Kremlini po gjen mënyra për të shmangur sanksionet aktuale dhe po paguan për importe të teknologjisë dhe mallra të tjera me përdorim të dyfishtë.

Përveçse lehtëson pagesat për energjinë, Gazprombank vepron po ashtu si një kanal për blerjen e mallrave ushtarake. Kremlini gjithashtu përdor bankën Gazprombank për të paguar ushtarët rusë dhe për të kompensuar familjet e ushtarëve të vrarë.

“Jam mirënjohës ndaj presidentit Biden dhe administratës së tij për pakon e fortë të sanksioneve financiare dhe bankare të bëra publike sot, që shënjestrojnë ekonominë dhe paratë e luftës të Rusisë”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Biden do ta përfundojë mandatin më 20 janar, kur në Shtëpinë e Bardhë do të kthehet presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Ai ka premtuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke i ulur në tavolinë të bisedimeve Zelenskyn dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Sanksionet financiare amerikane vijnë në një moment kritik për ekonominë e Rusisë, pasi shpenzimet rekord të Putinit për luftën kanë rritur inflacionin dhe normat e interesit. Banka Qendrore e Rusisë muajin e kaluar rriti normat e interesit në 21 për qind, norma më e lartë në dekada, dhe mund të vazhdojë t’i rrisë normat, teksa nuk ka sinjale se lufta është drejt përfundimit./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA