Në fjalimin e fundvitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para deputetëve të parlamentit të vendit ka folur për zhvillimet e fundit në vend, sfidat dhe angazhimin për të ecur tutje.
Ajo ka qenë kritike ndaj qeverisë, sidomos në aspektin e bashkëpunimit me aleatët. Osmani tha se “luajtja bixhoz” me aleatët cenon Kosovën.
“Asnjë popull nuk ja ka dalë vetëm e asnjë popull nuk ka sukses në izolim andaj rëndësia e ruajtjes dhe forcimi i aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik, të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e shantazhim. Besoj fuqishëm që forca jonë me e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona, aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se sa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh, ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë e barabartë me komunitetin euroatlantik të Kombeve.
Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cënimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e republikës tonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore do të shihni se si bashkërisht angazhohen të kapercjenë çdo sfidë me aleatët sepse nuk mund të ia dalin të vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin e emërit të tyre për të fituar pushtet, as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i cojë interesat e Kosovës përpara.”
Top Channel