Caktohet data e seancës gjyqësore për vrasësin e Martin Canit/ 14-vjeçari humbi jetën pas sherrit me bashkëmoshatarin

21/11/2024 16:10

Seanca gjyqësore për caktimin e masës së adoleshentit, i cili dyshohet se vrau me thikë Martin Canin do të mbahet nesër në orën 9:30.

M.P. ndodhet në një spital privat pas plagëve që mori gjatë sherrit ku mbeti i vdekur bashkëmoshatari.

Sipas informacioneve, masa pritet t’i komunikohet në spital.

“Ju njoftoj se seanca gjyqësore për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj të miturit në konflikt me ligjin M.P. do të zhvillohet ditën e nesërme datë 22.11.2024, ora 09:30”, sipas njoftimit.

 “Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, ka deklaruar më parë i mituri pasi është pyetur nga policia.

E gjithë Shqipëria u trondit të hënën pas ngjarjes tragjike, ku një 14-vjeçar u vra me thikë dhe një tjetër u plagos nga një bashkëmoshatar i tyre.

Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një sherri që dyshohet se kishte nisur disa ditë më parë, një 14-vjeçar, i arrestuar tashmë, ka goditur disa herë me thikë Martin Canin, plagë të cilat i morën jetën.

Katër plagë ka marrë edhe një tjetër i mitur, shok me viktimën, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.

Pas ngjarjes, në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto të autorit të dyshuar, i cili pozon “me krenari” pas krimit, teksa shfaqet i ulur në sediljen e pasme të një mjeti. Në foto ai tregon edhe dorën e tij të gjakosur e të fashuar, pasi është lënduar gjatë sulmit.

Po ashtu kanë qarkulluar edhe foto të thikës me përmasa të mëdha, me të cilët dyshohet se ka kryer aktin e rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA