Zyrtarë të lartë nga Britania e Madhe, Shqipëria dhe Kosova u takuan sot në Tiranë për të përforcuar angazhimin e tyre ndaj Task Forcës së Përbashkët të Migracionit, e cila fokusohet në luftën kundër migracionit
Komiteti i nivelit të lartë për Mbikëqyrjen e Task-Forcës u bashkë-kryesua nga Bas Javid, Drejtori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Bashkuar për Zbatimin e Emigracionit, Andi Mahila, Zëvendësministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Blerim Gashani.
Bas Javid, Drejtori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Bashkuar për Zbatimin e Emigracionit, tha: “Task Forca jonë e Përbashkët e Migracionit me Shqipërinë dhe Kosovën tregon përkushtimin e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për të luftuar migrimin e parregullt dhe për të shkatërruar rrjetet kriminale. Përmes bashkëpunimit të zgjeruar ndërkombëtar dhe krijimit të Komandës sonë të re të Sigurisë Kufitare, ne po marrim masa vendimtare për të siguruar kufijtë tanë dhe për të mbrojtur komunitetet tona.
Ky partneritet trilateral është thelbësor në përpjekjet tona për të penguar krimin e organizuar dhe për të menaxhuar migracionin në mënyrë efektive, duke përmirësuar sigurinë publike në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Shqipëri dhe Kosovë”.
Andi Mahila, Zëvendësministër i Brendshëm i Shqipërisë tha:
“Task Forca e përbashkët ka përmbushur me sukses të gjitha detyrat e ngarkuara e, madje, për miqtë tanë të mëdhenj britanikë, kjo njësi e përbashkët ka merituar edhe titullin: “Partneri më i mirë ndërkombëtar”, duke i dhënë “Çmimin e Parë”.
Është me vend të themi këtu se kemi përmbushur në një masë të lavdërueshme angazhimet e përbashkëta që kemi marrë përmes marrëveshjeve, protokolleve, memorandumeve dhe takimeve dypalëshe. Fjalët që kemi thënë i kemi kthyer në shifra, rezultate dhe arritje konkrete”
Rezultatet kryesore nga takimi:
Rikonfirmimi i angazhimit për të forcuar operacionet e përbashkëta për të siguruar kufijtë tanë përkatës.
Forcimi i partneritetit midis MB, Shqipërisë dhe Kosovës, duke punuar së bashku për të parandaluar migrantët e parregullt që kalojnë tranzit në rajon.
Diskutimi për Komandën e re të Sigurisë Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar dhe rolin e saj në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të shkatërruar bandat që qëndrojnë pas kalimeve të paligjshme me varka të vogla.
Së bashku, të tre vendet po përmirësojnë sigurinë publike në Mbretërinë e Bashkuar, Shqipëri dhe Kosovë përmes përpjekjeve bashkëpunuese për të penguar krimin e organizuar dhe për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin.
Top Channel