Sfida Rumani-Kosovë nuk u përfundua dot për shkak se lojtarët “Dardanë” refuzuan të luanin pas thirrjeve raciste të ardhura nga tifozët rumunë në stadium, me kore: “Kosova është Serbi”.
Avokati i FFK-së, Taulant Hodaj, ishte gjithashtu pjesë e një momenti tensioni, i cili në aeroport i erdhi në mbrojtje yllit të Kosovës, Edon Zhegrova, i cili u sulmua nga një zyrtar rumun.
I ftuar në “Shqipëria Live”, Hodaj tregon prapaskenat e videos së bërë virale, teksa tregon dhe se çfarë do të paraqesë Federata Kosovare në UEFA.
Taulant Hodaj: Nga kjo video shihet një pjesë e konsiderueshme e ngjarjes, por jo pjesa e plotë. Mediat rumune nuk e japin. Kur ishim në dalje, unë isha thuajse i fundit i delegacionit dhe para meje ishte Zhegrova dhe shoh një person që e ka prekur e i afrohet. Në fillim mendova se është fans i tij dhe pastaj Zhegrova më thotë: ‘Shiko çfarë po më bën ky person’.
Sidorela: Çfarë po i bënte?
Taulant Hodaj: Ai ishte me tone kërcënuese duke i thënë diçka dhe duke e prekur. Pasi ma kërkoi Edoni (Zhegrova), e pashë që po e kërcënonte dhe më pas i pashë që kishte dhe badge. Atëherë e kuptova që ishte zyrtar dhe prandaj reagova në atë mënyrë. E kam ndjekur atë person dhe e kam shtyrë. Në anën tjetër, gazetarët rumunë mu turrën aty. Më pas ishte shpjegimi im që i thashë se ky e kishte sulmuar lojtarin. Kjo është e ndaluar, sepse nuk ka të drejtë asnjë zyrtar i Federatës Rumune të flasë me lojtarët, lëre pastaj ta prekë dhe ta kërcënojë. Ky zyrtar që ka i dalë emri e mbiemri, ka qenë i njëjti në konferencën që ka bërë përfaqësuesja e Kosovës, ku të pranishëm ishte trajneri dhe kapiteni Rrahmani. Aty nuk ndodhi asgjë. Por kërcënimin ndaj Zhegrovës, nuk mund ta lejoja një gjë të tillë. E kam kapur, e kam larguar dhe kur e panë gazetarët kanë ardhur dhe më kanë larguar.
Sidorela: A jeni duke përgatitur diçka për t’ia paraqitur organit më të lartë të futbollit që të merret një vendim i drejtë dhe korrekt për këtë sfidë?
Taulant Hodaj: Ky nuk është një incident i izoluar. Ky incident është si pasojë e veprimeve raciste të Rumanisë që prej vitit të kaluar kur i kanë bërë këto shprehjet raciste gjatë gjithë ndeshjes. Vitin e kaluar, lojtarët e Kosovës nuk e braktisën sfidën, por arbitri e ndaloi. Tani, përkundër paralajmërimeve që i kam bërë 5 ditë përpara Komisionit Disiplinor të UEFA-s, që të merren masa mos të ndodhte diçka e tillë sërish. Në të njëjtën kohë para ndeshjes i kemi paralajmëruar për këtë gjë.
Sidorela: Ju çfarë do bëni, si do i drejtoheni UEFA-s?
Taulant Hodaj: Që në fillim, ne në ditën kritike është bërë takimi me delegatin. Ne i kemi dorëzuar dhe vërejtjen delegatit, por fatkeqësisht, sipas mendimit tonë ai ka qenë i njëanshëm, nuk i ka dhënë të gjitha faktet. Ne kemi afat deri nesër që të dërgojmë përgjigjen tonë me shkrim në procedurën disiplinore, të cilën UEFA e ka hapur ndaj Rumanisë dhe ndaj Kosovës. Aktualisht në procedurën disiplinore janë të dyja federatat. Komisioni Disiplinor i UEFA-s do të marrë vendimin përkatës.
Top Channel