Shqipëria luan ndeshjen e fundit dhe ndoshta më të rëndësishmen në Ligën e Kombeve mbrëmjen e së martës përballë Ukrainës, aty ku do të mësojë dhe fatin e saj.
Kapiteni i Kombëtares, Ardian Ismajli tregoi se skuadra do të futet në fushë për të marrë tre pikët, teksa vendosi t’i “driblonte” pyetjet për merkaton.
“E dimë që tani është më vështirë, nuk varët vetëm nga ne por edhe nga rezultati i Çekisë. Ne do futemi vetëm për fitore, rrugë tjetër nuk ka. Shpresoj të kemi fat dhe ta mbyllim në vendin e parë.
Inter apo Juventus? Nuk kisha dëshirë të flisja për merkaton, kemi ndeshje të rëndësishme, mbas kombëtares do e shikoni se çfarë do të ndodhë në janari.
Kundërshtar të lehtë nuk ka, sidomos në Serinë A të gjithë sulmuesit janë fizikë, të fortë, të shpejtë. E dimë kualitetin e Dovbyk, por nuk është se kemi frikë. Në ndeshjet e fundit kemi bërë mirë, jashtëzakonisht mirë mbrojtja. Do analizojmë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.
Fortesa e “Air Albania” është ajo ku kemi pësuar vetëm një gol e një humbje në dy vitet e fundit, ajo ndaj Gjeorgjisë. Avantazhi i tifozëve është jashtëzakonisht i madh. E patë edhe vetë të shtunën se çfarë përkrahje kemi pasur. Jam i sigurt që do të kemi nesër edhe mbështetje më të madhe dhe do të kënaqemi me një fitore.
Mbrojtja ka punë gjithmonë dhe kemi të bëjmë me sulmues shumë të fortë si në ajër e tokë. Me Çekinë në ndeshjen e parë nuk është se e njihnim mirë sulmuesin Chory. Në ndeshjen e dytë e patë që morëm masa dhe shikuam video e analizuam. Ia dolëm, shpresojmë që nesër t’ia dalim edhe me fitore.
Detyra ime është të mbroj, po doli diçka përpara, pse jo, rëndësi ka ekipi, rëndësi ka fitorja, se kush shënon nuk është problem.
Publiku jonë i zjarrtë është arma plus, çdo kundërshtar ka presionin e publikut. Ne duhet të fitojmë të bëjmë punën tonë dhe më pas të presim rezultatin e ndeshjes tjetër. Mund të arrijmë edhe play-off-in.
Duhet të bëjmë gola, kështu është futbolli. Kemi mbrojtur mirë, por kemi pasur ngërç në sulm. Çunat nesër do të bëjnë maksimumin dhe do të shënojnë. Është ndeshja më e rëndësishme e grupit. Jam i bindur që nesër do të shënojnë sulmuesit dhe do të bëjnë më të mirën për fansat dhe shpresoj të kapim vendin e parë”, tha Ismajli.
Top Channel