Metodat e luftës së Izraelit në Gazë konsistojë me karakteristikat e gjenocidit, tha një komitet i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, duke e akuzuar Izraelin se po përdor “urinë si metodë lufte”.
Komiteti i posaçëm i Kombeve të Bashkuara vuri në pah “numrin e madh të viktimave në mesin e civilëve dhe kushtet e rrezikshme për jetë të imponuara qëllimisht ndaj palestinezëve” në raportin e ri që mbulon periudhën që nga nisja e luftës më 7 tetor 2023, deri në korrik të këtij viti.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë.
“Përgjatë rrethimit të tij të Gazës, pengimit të ndihmës humanitare, sulmeve të shënjestruara dhe vrasjes së civilëve dhe punëtorëve të ndihmës, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të OKB-së, urdhrave obligative nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit, Izraeli qëllimshëm po shkakton vdekje, uri dhe lëndime serioze”, u tha në njoftimin e Komitetit.
Praktikat e luftës të Izraelit në Gazës “përkojnë me karakteristikat e gjenocidit”, tha Komiteti, i cili për dekada të tëra ka hetuar praktikat izraelite që prekin të drejtat e njeriut në territoret palestineze.
Izraeli, tha Komiteti, “po përdor urinë si metodë të luftës dhe po shkakton ndëshkim kolektiv ndaj popullsisë palestineze”.
Gjatë fundjavës që shkoi, OKB-ja tha se uria ka kapluar veriun e Gazës.
Në raportin e publikuar më 14 nëntor është dokumentuar se si fushata ajrore e Izraelit në Gazë ka shkatërruar shërbimet thelbësore dhe ka shkaktuar katastrofë mjedisore që do të ketë pasoja afatgjata në shëndet.
Deri në shkurtin e këtij viti, forcat izraelite kishin përdorur më shumë se 25.000 tonë mjete shpërthyese në mbarë Rripin e Gazës, sasi që është e barasvlershme “me dy bomba bërthamore”, tha raporti.
“Duke shkatërruar sistemet jetike të ujit, kanalizimeve dhe ushqimit dhe duke ndotur mjedisin, Izraeli ka krijuar një përzierje vdekjeprurëse krizash që do të shkaktojnë dëme të mëdha për brezat e ardhshëm”, tha Komiteti.
Komiteti tha po ashtu se është i shqetësuar nga “shkatërrimi i paprecedent i infrastrukturës civile dhe numri i lartë i viktimave në Gazë”. Numri i lartë i viktimave, sipas Komitetit, ka ngritur shqetësime lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale nga Izraeli për të avancuar sistemet e tij të shënjestrimit gjatë operacioneve ushtarake.
Komiteti i posaçëm i OKB-së kujtoi se edhe shtetet e tjera kanë obligime për të reaguar në mënyrë urgjente që të ndalet lufta, duke theksuar se “shtetet e tjera nuk kanë vullnet që ta mbajnë përgjegjës Izraelin dhe po vazhdojnë t’i ofrojnë mbështetje ushtarake dhe mbështetje tjetër”./rel
Top Channel