“Arrestimi në sy të fëmijës”, rrëfimi i Elsa Lilës: Përfundova në një dhomë izolimi, nuk i uroj askujt…

13/11/2024 18:22

Këngëtarja Elsa Lila, e ftuar sot në “Ftesë në 5” rrëfeu detaje nga libri i saj i parë, “Mirë se erdhe në Rebibbia”, një autobiografi për arrestimin dhe burgosjen e saj në mars të vitit 2022.

Artistja zbuloi se autobiografia është e shkruar në vetë të parë dhe në kohën e tashme, për ta lënë lexuesin të përfshihet në përjetimin e saj.

“Këtë libër e kam shkruar që në burg në kokën time. E kam përjetuar atë eksperiencë në prespektivën e një libri të ardhshëm. Teknika që unë kam zgjedhur për ta rrëfyer këtë gjëmë, këtë bëmë, këtë aventurë është veta e parë dhe koha e tashme. Por jo në formë ditari, e kam shkruar me idenë që ju së bashku me mua ta përjetoni tani, në këtë moment, sikur ka ndodhur tani ngjarja. Dhe çdo aksion përjetohet së bashku me mua, edhe nëpërmjet tingujve”.

Momentin më traumatik, Elsa Lila cilëson arrestimin në sy të vajzës, ndërsa për burgosjen, thotë se “nuk ishte dhomë paraburgimi, por izolimi”.

“Përfundova në një dhomë izolimi, jo paraburgimi. Kur nisa të shkruaja për ato dy orë të prezencës së policisë në shtëpinë time, kaq shokuese ishte sa sa më shumë gërmoja në kujtimet e mia të atij mëngjesi herët, aq më shumë faqet shtoheshin. Ai prologu i arrestimit zgjat rreth 20 faqe. Ka qenë më i fortë momenti i arrestimit se sa përjetimi më pas. Unë nuk them para burgosjes dhe pas burgosjes, përmend fjalën arrestim. Jeta më arrestohet në atë moment. Nuk ia uroj askujt, sidomos atyre që janë pafaj dhe kanë përfunduar në ‘aventura’ si kjo imja”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA