Kombëtarja shqiptare luan dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, të cilat janë dhe më të rëndësishmet për fatin e kuqezinjve në Grupin B1.
Gazetari Gëzim Sinemati u shpreh në “Procesin Sportiv” se Sylvinho duhet të ketë besim te Muçi dhe Uzuni, të cilët po bëjnë mirë me klubet e tyre, duke parë dhe alternativat e pakta që trajneri brazilian ka në repartin e sulmit.
“Në këto kompeticione kam përshtypjen se nuk do të thotë gjë të luajmë brenda. Sidomos për ne njëherrë, që kemi treguar që edhe kur luajmë brenda, edhe kur luajmë jashtë kemi diferenca. Unë do të thoja që përpara se të vëmë bast për vendin e parë, që gjithmonë e theksojmë dhe pastaj ngelim gjithmonë ngelim të zhgënjyer pse nuk dolëm të parët, duhet të themi që Kombëtarja duhet të ketë vazhdimësi.
Tani ne po qajmë hallin për Baren, i cili kur nuk ka qenë i dëmtuar nuk është futur. Tani po bën kërkesë klubi për Baren. Ose për Gjimshitin, ose për tjetrin në sulm. Ka ardhur një moment që “të padëshiruarit” e Sylvinhos, Ernest Muçi dhe Myrto Uzuni që janë në moment të mirë, shpresojmë të përdoren dhe të ketë besim te ta se kemi shumë borxhe me disa emra të sulmit. Me Cikalleshin që e përcollëm, që e detyruam të jepte një lamtumirë të detyruar, me Uzunin që nuk e kemi përdorur shumë dhe me Ernest Muçin për të cilin trajneri thoshte: ‘Ka kohë’.
Kjo është thikë me dy presa, sepse në momentin që ke disa ndeshje që nuk i ke përdorur në vazhdimësi dhe të presësh të marrësh përgjigje në një ndeshje, atëherë kjo nuk është mirëpërdorim i sulmuesit, por është keqpërdorim. Në klubet ku shënojnë në vazhdimësi ata e kanë pjesëmarrjen e sigurt dhe janë më të lirë. Me Kombëtaren do e shohësh për sa minuta do luajë dhe çfarë do bëj. Meqë është momenti që ka disa të dëmtuar, le t’i shohë me kujdes pa i gjykuar. ‘Le të presë Muçi, le të presë Muçi’, tani le të presë Sylvinho”, u shpreh Sinemati.
Top Channel