Marco Rubio është emri më i përfolur i momentit për postin e Sekretarit të Shtetit në administratën Trump 2 dhe kërshëria ndaj prioriteteve të mundshme të tij ka vënë në lëvizje makinerinë e gjurmimit të fokusit të politikanit të njohur, që duket se përfshin në mënyrë të veçantë edhe Ballkanin.

Gjatë një fjalimi për rolin e Amerikës në botë, në vitin 2011, si senator i Partisë Republikane në SHBA, Rubio qe shprehur se forcat e armatosura amerikane ndaluan nazizmin e komunizmin dhe të këqija të tjera, si spastrimi etnik serb.

Trembëdhjetë vjet më vonë, atij thuhet se mund t’i besohen frerët e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara.

Si përfaqësues nga Florida në Senat, 53-vjeçari u zgjodh për herë të parë në vitin 2010 dhe përgjatë karrierës së tij, Ballkanin rezulton ta jetë pasur disa herë në vëmendje.

Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë rajonin në fokusin e tij.

“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, thuhej në letër, ku nënvizohej po ashtu sesi Rusia, për kohë të gjatë, ka luajtur rol destabilizues në Ballkan, për t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë.

Në vitin 2021, Rubio qe ndër të parët që përshëndetën lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.

Vitin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamni, gjatë një vizite në Uashington, u prit nga një grup senatorësh dhe kongresistësh amerikanë, e Marco Rubio ishte në mesin e tyre. Në 2018-tën sakaq, qe takuar edhe më presidentin e atëhershëm të  Kosovës, Hashim Thaçi.

Rubio njihet në përgjithësi për qasje të ashpër në politikën e jashtme, sidomos ndaj Kinës dhe Iranit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA