Që nga fillimi i agresionit rus, mbi 160,000 ukrainas të larguar nga vendi i tyre janë vendosur në shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Vladislavs Andrejevs, njofton nga Riga e Letonisë se mes 50 mijë refugjatëve që mbërritën në këtë vend, kishte edhe shumë mjekë të cilët janë punësuar në sistemin shëndetësor të vendit mikpritës.
Kjo është një nga klinikat e qendrës mjekësore të kryeqytetit Riga ku punojnë katër mjek nga Ukraina. Ata u larguan nga lufta dhe arritën të punësohen në profesionin e tyre në Letoni.
Mjekja Irina Nikolaeva ka lindur në Letoni, por familja e saj u shpërngul në Ukrainë në vitet 1990. Vëllai i saj i madh qëndroi në Letoni. Fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës e detyroi mjeken Nikolaeva që të largohej nga Odesa dhe të vendosej në kryeqytetin Riga.
“Çdo ditë mendoja se konflikti do të përfundonte së shpejti dhe do të kthehesha në shtëpi. Por kjo nuk ndodhi dhe vendosa të jetoj jetën time”.
Si mjeke specialiste për sëmundjet e fytit dhe veshëve ajo pati shansin të gjente punë. Por asaj iu desh të konfirmonte diplomën dhe licencën mjekësore ukrainase, çka zgjati disa muaj, dhe të fillonte të mësonte letonisht.
Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Albina Kovalskaya e cila drejton Qendrën Mjekësore Bolderaja, ku punon mjekja Nikolaeva.
“Qendra jonë u hapi dyert mjekëve ukrainas. Unë mendoj se ata janë mjaft të mirë. Kuptohet që druheshim. Këtu shkolla mjekësore është ndryshe, qasja është ndryshe, por ata vërtet treguan se ishin specialistë të përgatitur”.
Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë kanë strehuar mbi 160,000 refugjatë ukrainas. Rreth 50 mijë prej tyre u vendosën në Letoni dhe një e pesta e tyre kanë arritur të gjejnë një punë në zyrë.
“Është një vend tjetër dhe gjithçka është ndryshe këtu. Fillimisht më kapi ankthi, por pasi fillova punën u zhduk. Pacientët këtu kanë të njëjtat probleme si në Ukrainë”.
Mjeku specialist për sytë, Dmitry Chigrinov, thotë se për të ishte e lehtë gjetja e punës. Vendlindja e tij në Ukrainë u shkatërrua nga lufta, thotë ai, ndaj vendimi për t’u vendosur në Letoni ishte i lehtë.
“Pas muajit të parë të përshtatjes me vendin, gjërat bëhen më të lehta, më të mira. Po mësoj letonisht dhe po përpiqem të përmirësoj të kuptuarit e gjuhës. Infermieret më kanë ndihmuar shumë”.
Nadezhda Shupik nga Mariupoli ishte studente kur Rusia filloi agresionin. Por pas gjashtë vitesh në Institutin Kombëtar të Mjekësisë në Kiev dhe tre vitesh praktikë, ajo është mjeke për gratë në Letoni.
“Prindërit, familja ime dhe miqtë janë ende në Ukrainë dhe flas çdo ditë me ta. Vëmendjen e kam të përqendruar në punë por nuk mund të harroj vendin dhe shtëpinë time”.
Letonia ka krijuar një zyrë të posaçme për të ndihmuar ukrainasit e larguar nga lufta. Të gjithë refugjatët gëzojnë të drejtë për qëndrim të përkohshëm në vend./VOA
Top Channel