Mbi 79 milionë përdorues aktivë në ditë janë në platformën e lojrave Roblox, që veç luajtjes mundëson edhe krijimin e lojërave.
Një platformë që ka tërhequr shumë edhe fëmijët shqiptarë. Mirëpo studimet flasin për rrezikun që ekziston në përdorimin e platformës, e cila po kthehet në varësi.
“Nga institutet më të njohura sic është Bloomberg Institute apo Hinderboorg Research të bazuara në kërkime shkencore që është një platformë e dëmshme, për atë që prodhon kompania se ndikon në cilësinë e jetës së fëmijëve, në privimin e gjumit, ankthin, depresionin, vetëdëmtimin apo dukuri të tjera shqetësuese si abuzime seksuale sepse platforma të lejon ndërveprime të ndryshme, shkëmbime mesazhesh”, tha Kushtrim Shala-specialist IT.
Presioni që po përballen prindërit është i madh. Si fillim ata kanë gjykuar të drejtë lejimin e aksesit të fëmijëve në platformën Roblox, për ti argëtuar, por përmbajtja e larmishme e pakontrolluar e këtyre lojërave ndikon në sjelljen e fëmijëve.
“Është një kompani që ka aftësi për vetërregullim, por nga ana tjetër që lojërat prodhohen për çështje orësh madje e minutash. Vetë fëmija mund të bëjë një lojë dhe më pas ta hedh në tregun e roblox e mund të fitojë para. Duhet të arrijnë disa objektiva të caktuara brenda lojës, edhe pse janë online shtyhen për veprime të dhunshme, goditje, rrjedhje gjaku, hedhje nga një lartësi e caktuar. Nuk ka kufizim imagjinate, e madje ka përpjekje për ta bërë më pas në jetën reale!”, u shpreh ai.
Një domosdoshmëri për shoqërinë e ditëve të sotme, eksperti IT Kushtrim Shala mendon se është aftësimi digjital. Ai rekomandon kontrollin e llogarisë së fëmijës në Roblox si dhe i drejton prindërit që platformat argëtuese edukuese më të sigurta pa pagesë janë Codemonkey apo scratch.
“Turqia e ka bllokuar totalisht aksesin në Roblox. Unë nuk jam për ndalimin drastik, por duhet kontroll. Çdo prind mund të vendos moshën e fëmijës që të përzgjidhet përmbajtja që mund të shoh, apo të bllokojë komunikimin me mesazhet”.
Top Channel