Opera Tosca, që riktheu në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit tenorin Saimir Pirgu dhe solli në Shqipëri sopranon e skenave botërore, Krassimira Stoyanova, vjen për herë të parë edhe për artdashësit e vegjël.
Me muzikën e Giacomo Puccini-t, melodrama e vendosur në Romën e shekullit XIX, vjen në një version të lehtë dhe argëtues për të gjithë, nën interpretimin e sopranos Dorina Selimaj, tenorit Denis Skura dhe baritonit Carlos Almaguer.
“Është hera e parë që kjo vepër kaq e madhe, siç është Tosca, të vijë e përshtatur edhe në formatin për fëmijë. Është vërtetë një gjë shumë e bukur, është një përgjegjësi shumë e madhe për mua që do të transmetoj te fëmijët, atë dashurinë që transmeton Tosca, dashurinë që ka për partnerin e saj, dashurinë që ka për artin.
Është një përgjegjësi shumë e madhe në fakt për mua, pasi do të këndoj menjëherë pas sopranos me famë botërore, Kassimira Stoyanova, pas sopranos sonë të teatrit, Eva Golemi, dhe për mua është një përgjegjësi shumë e madhe, që duhet të jetë ai niveli shumë i lartë“- u shpreh Dorina Selimaj.
TKOB fton artdashësit mesditën e 9 nëntorit në një eksperiencë të veçantë për të gjithë familjen!
Top Channel