Athina ka pritshmëri të vogla për takimin e sotëm mes dy kryediplomatëve të Greqisë e Turqisë në kryeqytetin grek, takim i shumëpërfolur për disa javë dhe që tashmë zhvillohet në një mjedis të ri gjeopolitik, pas rizgjedhjes së Donald Trump në presidencën amerikane.
Takimi që parashikohet të zgjasë 5-6 orë ,fillon prej orës 10.30 kur do takohen dy homologët , vazhdon me bisedën kokë më kokë, me intervistën e përbashkët për mediat e mbyllet me një drekë pune.
Kërkesë kryesore për Greqinë , siç ka theksuar edhe zëdhënësi i qeverisë , është të shqyrtohen kushtet në të cilat të dy vendet mund të hyjnë në thelbin e pozicionimit të kundërt e të vetëm, sipas Athinës midis dy vendeve: përcaktimi i ZEE-së dhe i shelfit kontinental.
Të gjitha mediat kanë komentuar pamjet televizive dhe fotografitë nga takimi i djeshëm mes Erdogan, Mitsotakisit, Ramës dhe presidentit qipriot Christodoulidis, ku kryeministri grek i ka uruar ministrit të Jashtëm turk, i pranishëm edhe ai, që takimi i sotëm të jetë konstruktiv .
Nga ana tjetër burime diplomatike shprehen se bëhet fjalë për një negociim të vështirë ,pasi para takimit të dy palët kanë vendosur vijat e kuqe, të cilat… nuk përkojnë.
Vetë Gerapatritis në një intervistë për gazetën turke “Hurriet” dje, ka theksuar se “Sovraniteti kombëtar i shteteve nuk mund të jetë objekt debati apo juridiksioni ndërkombëtar. Përcaktimi i kufirit të shelfit kontinental dhe ZEE-së është mosmarrëveshja e vetme midis Greqisë dhe Turqisë, e cila mund të sillet para juridiksionit ndërkombëtar”.
Nga ana e saj Ankaraja këmbëngul për një zgjidhje “paketë”. “Ne kemi shumë probleme të ndërlidhura që nuk mund të kufizohen në çështjen e shelfit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike. Besojmë se ka ardhur koha që të gjitha këto çështje të merren në bazë të respektit dhe bashkëpunimit reciprok”, tha nga ana e tij Hakan Fidan në një intervistë për gazetën greke “ Ta Nea”.
Pika “kyç”, për të cilën bien dakord të dyja palët, është se pavarësisht mosmarrëveshjeve, dialogu duhet të vazhdojë dhe të ruhet klima e qetësisë në marrëdhëniet Greqi-Turqi.
“Alternativa e hipertensionit të përhershëm,e retorikës armiqësore dhe rrezikut të vazhdueshëm të një incidenteve të nxehta nuk i bën mirë askujt. Para së gjithash, nuk u bën dobi të dy popujve”, ishte mesazhi i ministrit të jashtëm grek, ku homologu i tij turk përmes shtypit grek deklaroi se… “Telefonat tanë janë të aksesueshëm 24 orë në ditë, kështu që ne mund të parandalojmë që problemet tona të zhndërrohen në kriza”.
Ajo që pritet sot nga raundi i ri i kontakteve eksploruese, është vazhdimi i diskutimit për çështjet e mbetura të marrëdhënieve dypalëshe, për çështjet me interes rajonal dhe ndërkombëtar, për çështjen e Qipros dhe sigurisht për rezultatet e agjendës pozitive, me fokus tek imigracioni.
Synimi kryesor është edhe përgatitja e takimit mes Mitsotakis dhe Erdogan, në fillim të vitit 2025, në Ankara, në kuadër të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit (SCC) të dy vendeve.
Top Channel