E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, teksa mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, foli edhe për kreun e SPAK, Altin Dumani.
Në fjalën e saj, diplomatja e ambasadës së SHBA tregon se kur e ka takuar Dumanin, ai i ka vënë në dukje punën që policia bën, si vendimtare për punën që vetë ai dhe kolegët e tij në SPAK kryejnë.
“Dhe dua të ndaj me ju se kur jam takuar me z. Dumani, të cilin e kam takuar në disa raste, ai vë në dukje punën që bëni për të zbatuar këto standarde integriteti si vendimtare për punën që ai dhe kolegët e tij në SPAK kryejnë. Nuk ka mundësi që një pjesë e vetme e institucioneve të drejtësisë të ketë sukses pa bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e të gjithë sistemit.
Dhe nuk do të përsëris statistikat tepër mbresëlënëse që ndatë më herët. Por dua të theksoj që tashmë ka pasur 33 arrestime këtë vit për shkak të referimeve dhe kjo është një rritje e madhe nga viti i kaluar, siç më ka thënë ekipi im”, ka treguar Nancy VanHorn.
Në ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, morën pjesë drejtues e punonjës të AMP-së dhe ICITAP. Trajnimi mbi hetimin e krimeve është kryer sipas një moduli të standardizuar, miratuar edhe nga Prokurori i Përgjithshëm.
Top Channel