Përcaktimi i kufijve detarë, Athina dhe Ankaraja ende nuk gjejnë gjuhë të përbashkët, zbardhet takimi “kokë më kokë” i ministrit grek dhe atij turk

08/11/2024 18:09

Megjithëse kanë rënë dakord që rajoni shekullor ku banojnë duhet të ketë edhe një miqësi shekullore, Athina dhe Ankaraja ende nuk gjejnë gjuhë të përbashkët mbi shtrirjen e çështjeve që duhen trajtuar për përcaktimin e kufijve të tyre detarë.

Korrespondenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, raporton se në takimin disaoprësh të dy ministrave të Jashtëm në Athinë mesditën e së premtes pala greke ka përsëritur se të dy vendet duhet të diskutojnë vetëm çështjen e përcaktimit të zonës ekskluzive ekonomike dhe kufijve të shefit kontinental dhe se nuk pranon “qëndrimin e Turqisë për ndarjen në mes të zonave detare në Egje dhe Mesdheun Lindor”.

Georgios Gerapetritis, ministri i Jashtëm i Greqisë u shpreh se “kjo ishte një qasje fillestare, e të sinqertë ndaj një çështjeje të vështirë dhe kritike. Qëndrimet tona në lidhje me gamën e diskutimit ndryshojnë, qëndrimi ynë është se ka vetëm një çështje që të dy vendet duhet të diskutojnë”.

Ndërsa pala turke sheh një momentum pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe , por thotë se në tryezën e negociatave duhen vendosur të gjitha problemet për të cilat dy fqinjët kanë pozicionime të kundërta.

Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Turqisë tha se “ka shumë çështje të lidhura me njëra-tjetrën në Egje për të cilat ne duhet të punojmë dhe të kërkojmë zgjidhje. Ne nuk mund t’i reduktojmë të gjitha vetëm në çështjet e delimitimit detar ose zonave ekskluzive ekonomike.”

Greqia dhe Turqia, aleate të NATO, por njëkohësisht edhe kundërshtarë historikë, pasi kanë prej kohësh mosmarrëveshje për kufijtë detarë, hapësirën ajrore, burimet e energjisë, emigracionin, fluturimet mbi detin Egje dhe çështjen qipriote, pas vitesh tensionesh që shpesh shkuan pranë konfliktit ushtarak, ranë dakord në dhjetor të vitit të kaluar mbi një udhërrëfyes për të rifilluar marrëdhëniet.

Tashmë , kryediplomatët e dy vendeve fqinjë, Gerapetritis dhe Hakan, kanë pohuar se janë të vetëdijshëm për ndasitë në lidhje me kufijtë në Egje, dhe kanë vendosur që të bisedojnë përsëri pas disa javësh, për të përcaktuar pikat e një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit Mitsotakis dhe presidentit Erdogan në vazhdimësinë e kësaj atmosfere të qetë muajt e fundit mes dy vendeve.

Ndërsa në tryezën e bisedimeve është diskutuar edhe çështja e minoritetit mysliman të Trakës i cili duhet të bëhet urë lidhëse siç kanë theksuar, dy ministrat kanë pohuar gjithashtu se duan të mbajnë kanalet e komunikimit të hapura, të rrisin volumin e marrëdhënieve tregtare në mbi 10 mld dollarë dhe të bashkëpunojnë më ngushtë në sektorë si turizmi, dhe kultura , por edhe në fushat e sigurisë dhe të përballjes me emigracionin ilegal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA