Detaje të reja kanë dalë për çështjen ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.
Ish-deputeti i cili u la në burg nga Gjykata e Posaçme akuzohet për tre veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Më poshtë nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni Sky Ecc ish-deputeti i jep informacion sekret të kërkuarit Besmir Huqi.
Nga komunikimet personi nën hetim është informuar nga shtetasi Besmir Huqi (alias Farruku), se këtë të fundit, edhe një të afërmin e tij i kishin shpallur në kërkim, lidhur me problemet ligjore që kanë patur me autoritetet italiane të drejtësisë, Por, meqenëse Besmiri nuk ishte i sigurt për arsyet e shpalljes në kërkim, ka kërkuar ndihmë nga i hetuari që të interesohej lidhur me saktësinë e informacionit që i kishin dhënë.
“Na kan qit në kërkim, kan kap erin. Nuk jam i sigurt, duhet me mor informacion”, thotë Huqi.
“Kuptoj, Ok se marr un”, thotë Çyrbja.
“Ngjo do ma shofësh emin. Të jap timin ene të Visit, Besmir. Huqi. Ergys huqi”, thotë Huqi.
Më pas Çyrbja e informon Besmirin se, informacioni rreth tij ka qenë i saktë, pasi në ngarkim të tij kishin ardhur aktet për shpalljen e personit në kërkim nga jashtë shtetit, duke i konfirmuar dhe akuzën konkrete për të cilën ishin të shpallur në kërkim.
“Villa te kan ardh nga andej), organizat kriminale, trafik”, thotë Çyrbja.
Bazuar në këqyrjen e sistemit TIMS, Huqi ishte shpallur në kërkim nga Zyra e Interpol Tirana pasi Gjykata e Salernos Itali kishte lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal italian.
Top Channel