Zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA do të vendosin se cili prej dy kandidatëve, Donald Trump apo Kamala Harris, do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për 4 vitet e ardhshme.
Rezultati pritet me interes në mbarë botën por cili do të ishte një president më i mirë sipas shqiptarëve?
Ja disa nga përgjigjet e qytetarëve:
-Donald Trump, sepse është burrë shteti.
-Me thënë të drejtën unë dua demokratët, Kamala Harris, atë kam qejf të fitojë. Ndoshta do bëjë diçka më shumë.
-Unë dua Trump-in. Më pëlqen më shumë pavarësish se çfarë partie përfaqëson.
-Unë në Amerikë jetoj, unë jam me Donaldin. Kemi jetuar shumë mirë ekonomikisht me atë, me të tëra nuk na mungonte gjë. Kurse me këtë jo, këta luftëra duan o bir.
-Për mua Donald Trump, ëndërroj të fitojë ai.
Do t’i ndiqni me interes zgjedhjet?
-Patjetër, gjithë natën. Do bëjë tre-katër kafe që të pijë e ta gdhijë.
-Kamala normalisht, Trump është si Saliu origjinal, sikur i ka pjellë një nënë.
Bazuar në kërkimet që kanë bërë shqiptarët në rrjet për zgjedhjet amerikane, kandidati favorit duket se është Donald Trump. Sakaq , eksperti i IT, Tomi Kallanxhi tregon se Berati është qyteti me mbështetjen më të madhe nga shqiptarët për Kamala Harris.
“Nga data 21 tetor ka nisur trendi për shqiptarët që kërkojnë për zgjedhjet në Amerikë. Sot janë dy ditët me më shumë interes. Në përgjithësi shqiptarët janë fansa të Donald Trump ngaqë edhe PR i tij është më agresiv, është njeri me kontravers dhe shqiptarët i kanë qejf këta lloj liderësh dhe qytete që kanë pasur më shumë interes për zgjedhjet në Amerikë janë Gjirokastra. Dibra ka më shumë fansa të Donald Trump. Një nga qytete që ka më shumë kërkime për Kamala Harris është Berati. Fitoftë më i miri”, shprehet Kallanxhi.
Zhvillimet më të fundit mbi zgjedhjet në Amerikë do të mund t’i ndiqni në Top Channel në një transmetim maratonë mes departamentit të Informacionit dhe Top Story, ora 23:00 live me Grida Dumën.
Top Channel